Qytetarët e Tiranës prej vitesh e blejnë ujin e pijshëm pasi nuk i zënë besë ujit të rubinetit.
Por kur vjen puna në lokale konsumojnë pije që shërbehen me kubeta akulli pa u menduar dy herë se akulli mund të ketë në bazë pikërisht ujin e shumë diskutuar të rubinetit.
Eksperiencë aspak të mirë me kubetët e akullit duket se kanë provuar edhe turistët që kanë vizituar Shqipërinë.
“Në të vërtetë nuk dua por po, i konsumoj. Këtu në Shqipëri kubetët e akullit kanë një shije të çuditshme mbi të gjitha.” -shprehet një turiste italiane.
Ndërkohë një tjetër turiste shprehet : “Nëse dikush nuk e ka informacionin e duhur normalisht që i konsumon, pra nuk i dihet. Por shija ndihet dukshëm që është ndryshe. Në Itali nuk ndodh shpesh të provojmë shije të ngjashme të kubetëve të akullit kjo pasi gjërat janë më të kontrolluara.”
Dy ditë më parë ishin mjekët e shërbimit infektiv që dhanë alarmin për shtimin e rasteve me Hepatit A, ç’ka sipas bluzave të bardha mendohet se e ka origjinën tek uji që përdorin lokalet për të krijuar artificialisht akull përmes makinave ngrirëse.
Por për Prof. Dr. Tritan Kalo, mjek infeksionit në urgjencën e infektivit të QSUT, hepatiti A që njihet dhe si sëmundja e verdhëzës është problemi më i vogël që mund t’i vij organizmit nga konsumimi i ujit të ndotur.
‘Hepatiti A është i barabartë me një nga format më të thjeshta të sëmundjes të infektivit. Është një infeksion që përhapet në mënyrën më banale të mundshme dhe risqet po të mos jesh një fëmijë i vogël, janë pothuajse zero. Uji i kontaminuar që ka ngarkesë bakteriale, siç është edhe uji i detit që ka ngarkesë bakteriale, nuk ka vetëm viruse, ka esheria coli, ka salmonela ka parazitë si lambia, i ka të gjitha këto. Pra risku nuk është vetëm për hepatitin A. Nëse nuk janë të sigurt në vendin ku shkojnë konsumojnë një kafe mos ta pinë atë ujë.’ –thotë doktor Kalo.
Bazuar në eksperiencën e gjatë si mjek infeksionist në spitalin më të madh në vend, doktor Kalo arrin në konkluzionin se më shumë rrezik mbart qumështi i makiatos sesa kubeti i akullit, fakt për të cilin flitet pak në media.
‘Ne kemi hallin te kubet e akullit, po nuk pyesim njerëzit që pinë makiato. Si rregull kutia e qumështit kur hapet duhet të konsumohet brenda dy orëve. Sepse qumështi brenda kontaminohet, dhe ne na vijnë të sëmurë që përdorin kafe, makiato. Ngrohja ftohja është baraz me riciklim të çdo mikrobi. Ose akulloret e njëjta gjë. Për këtë flasim pak. Këshilla që iu jap miqve të mi sa fillon vapa iu them, pi një kafe më mirë të hidhur se sa një makiato, që mund t’ju sjell në spital”./news24