Në Itali është shkatërruar një bandë që merrej me trafikun e drogës, kryesisht të kokainës ne Gallipoli.
Mediat vendase bëjnë me dije se policia e Lecces ka ekzekutuar urdhër-arrestet për 10 persona, duke vënë në pranga 5 shqiptarë dhe 5 shtetas italianë.
Nga hetimet mësohet se ata akuzohen për krijimin e një organizate të trafikimit të drogave të forta dhe mbulonin kryesisht zonën e Gallipolit, por edhe përreth tij.
Mes tyre në pranga është vënë edhe një anëtar i mafias Sacra Corona Unita.
Policia italiane ka bërë me dije emrat e të arrestuarve. Ata janë Saimir Sejdini i ditëlindjes 1991, Klodian Shehaj, 36 vjeç, Danel Gjoci, 20-vjeç, Roxhers Nebiu, 27 vjeç dhe Enri Shenaj, 25-vjeçar.
Në një konferencë për mediat, policia italiane ka bërë me dije se grupi i trafikantëve përdorte një mënyrë shume efikase për të maskuar aktivitetin, të quajtur “drug and drive”.
Lënda narkotike shitej me një kosto prej 60 euro për gjysmë gram dhe u jepej klientëve nga makina në makinë.
Në zhargon “miqtë” ishin dozat e drogës qe u jepeshin përdoruesve, ndaj edhe operacioni ishte koduar me emrin “Miqtë e Mi”.
Ndërkohë që një tjetër shqiptar pjesë e bandës, identifikuar si Rrapush Tafa, 25 vjeç nuk ndodhet në Itali, pasi figuron i dëbuar që në shkurt të vitit 2018.