Rrjeti social më popullor, Facebook, mund të përballet me sanksione pasi ende nuk është në përputhje me rregullat e konsumatorëve të BE, ndërsa AirBNB ka bërë ndryshimet e nevojshme nisur nga kërkesat e përdoruesve, raporton Reuters.
Platformat online janë në presionin e Europës për shkak të dominimit të tyre dhe praktikave anti-konkurruese të biznesit, të cilat kanë rezultuar me gjoba të rënda ndaj disa kompanive. Privatësia dhe shqetësimet e konsumatorëve po ashtu e kanë rënduar situatën.
Shtatë muaj pasi komisionerja e drejtësisë së Europës, Vera Jourova, tha se Facebook dhe platformat e tjera duhet të përshtasin kushtet e përdorimit në përputhje me ligjet e BE-së për konsumatorin, sipas burimeve të BE-së, ende gjiganti i medias sociale nuk i ka trajtuar të gjitha shqetësimet e konsumatorëve.
Autoritetet e mbrojtjes së konsumatorit në të gjithë bllokun, të cilat kërkuan ndryshimet vitin e kaluar, kanë fuqinë të gjobisin kompanitë për shkeljen e rregullave të BE-së. Ndërkohë, Facebook ka deklaruar se ka punuar me autoritetet e BE-së për të ndryshuar kushtet e saj dhe për të siguruar transparencë më të madhe.
Nga ana tjetër, tre muaj pas këtij udhëzimit, AirBNB ka bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme, një lajm i mirë ky për përdoruesit pasi kanë më shumë transparencë për çmimet, çka ju jep mundësi që të krahasojnë edhe ofertat që ofron platforma.
Komisioni Europian kishte kërkuar më herët që AirBNB të japë detaje mbi çmimet në mënyrë të qartë si dhe të ofrojë shërbime më të mira për përdoruesit e platformës.
Ndërkohë, pritet që Jourova të mbajë ditën e sotme edhe një konferencë për shtyp lidhur me këtë çështje.