Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 40-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. I zhvilluar në Bukuresht, Rumani, ky takim drejtohej nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, z. Mugur Isărescu, dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit.
Takimet e Klubit të Guvernatorëve shërbejnë si një platformë diskutimi mbi zhvillimet e fundit të vendeve anëtare, ku bankat qendrore prezantojnë eksperiencat e tyre, mekanizmat dhe politikat që përdorin për t’u përshtatur me ndryshimet dhe zhvillimet e tregjeve financiare dhe sektorin bankar, me qëllimin kryesor ruajtjen e stabilitetit financiar.
Diskutimet e takimit të radhës ishin të organizuara në tre panele kryesore. I ftuar si folës kryesor në panelin e dytë, Guvernatori Sejko, mbajti një prezantim mbi stabilitetin financiar dhe perspektivat e rritjes së borxhit të korporatave në vendet në zhvillim, duke u ndalur në mundësitë dhe sfidat midis tyre.
Guvernatori Sejko u shpreh se stabiliteti i sistemit financiar dhe ecuria e ekonomisë reale janë të ndërvarura nga njëra-tjetra, dhe kjo lidhje përcaktohet kryesisht nga niveli dhe cilësia e kredisë për korporatat financiare, si edhe nga kuadri ligjor për zgjidhjen e këtij borxhi.
Më tej, Guvernatori shtoi se për të vlerësuar rreziqet për stabilitetin financiar, është e rëndësishme të sigurohen më shumë të dhëna për natyrën e këtij borxhi. Kjo merr rëndësi të veçantë në kushtet aktuale, kur një normalizim i politikës monetare në nivel global mund të sjellë pasoja për ngarkesën e borxhit të korporatave financiare në vendet në zhvillim, si dhe në cilësinë e tij. Ai u shpreh se më shumë mbetet për t’u bërë për të rritur elasticitetin e institucioneve financiare dhe tregjeve financiare.
Duke u kthyer tek rasti i Shqipërisë, Guvernatori përmendi përpjekjet për të vlerësuar ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve nëpërmjet vrojtimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë. Ai theksoi se të dhënat tregojnë që ky borxh mbetet në nivele të kontrolluara, ndërkohë që sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid, i aftë të absorbojë rreziqet potenciale.