Telekom Srbija e ka konfirmuar zyrtarisht për `Scan` faktin se kërkon të blejë Telekom Albania, nën pronësinë e gjermanëve të Deutsche Telekom. Kërkesës së Scan, Telekom Srbija i është përgjigjur kështu: “Duke dashur të pozicionohet si një lider rajonal telekomunikacioni, Telekom Srbija ka bërë një ofertë për blerjen e Telekom Albania, një kompani nën zotërimin e Deutsche telekom”.
Por ndër të tjera, gjiganti i telefonisë në Serbi shton: “Në linjë me praktikën e mire të biznesit, ne nuk mund të komentojmë mbi detajet e një procesi që është duke u zhvilluar”. Paçka se nuk ka një shifër të saktë të ofertës së Telekom Srbija për blerjen e Telekom albania, kompania në fjalë mbetet kandidatja kryesore, tashmë që Deutsche Telekom duket se e ka vendosur që të largohet.
Në garë mësohet se janë edhe dy kompani të tjera, që të dyja bullgare, por që nuk kanë pozitat e Telekom Srbija për të siguruar marrëveshjen finale. Telekom Srbija është zgjeruar në tregjet e Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, por edhe Austrisë, ndërkohë që me hyrjen në tregun shqiptar do të forconte së tepërmi pozitat në rajon.