UNHCR ndan çmimin ‘Nansen’ për kirurgun nga Sudani Jugor

Tuesday, 02 October 2018 17:39

UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në një ceremoni në Gjenevë mbrëmë nderoi Dr. Evan Atar Adaha (Dr. Atar), një kirurg nga Sudani i Jugut, me çmimin ‘Nansen’ për refugjatët për vitin 2018.

Dr. Atar mori çmimin për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm 20-vjeçar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për njerëzit e detyruar të largohen nga konflikti dhe persekutimi në Sudan dhe Sudanin e Jugut, si dhe në komunitetet që i mirëpresin ato.

Me rastin e paraqitjes së çmimit në ceremoninë e mbajtur në Gjenevë, Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, tha se mund të kujtonte "tri ose katër arsye" se përse Dr. Atar ishte zgjedhur për të marrë çmimin.

Ai tha se shumica e pacientëve të tij ishin refugjatë dhe ai kishte jetuar si i zhvendosur edhe vetë, pasi lufta e detyroi atë të mbyllte spitalin e tij të parë në Kurmuk të Sudanit. Përveç kësaj, ai mishëronte "jo vetëm solidaritetin, por solidaritetin e guximshëm" me pacientët e tij refugjatë, "dy gjëra që janë të rralla në botën e sotme".

Komisioneri i Lartë, Filippo Grandi vuri në dukje se qeveria e Sudanit Jugor sapo kishte nënshkruar një marrëveshje të paqes, duke shtuar: "Kam një mesazh për udhëheqjen e Sudanit jugor... një nga bashkatdhetarët tuaj po tregon rrugën e duhur".

Ambasadorja e vullnetit të mirë e UNHCR-së, aktorja Cate Blanchett, mbajti fjalimin kryesor, duke vlerësuar punën e Dr. Atarit në një kohë kaq kritike për zhvendosjen globale.

"Çmimi shënon një arritje të madhe për punën humanitare," tha ajo. "Është një mënyrë formale për të thënë"faleminderit"në mënyrë të veçantë për një person, por më e rëndësishmja, ai mbart me vete falënderimet e pashprehura për të gjithë ata që punojnë në fushat humanitare - shpesh me kosto të madhe personale".

Ajo, shtoi se "shpresa është e mishëruar nga ata që punojnë në terren dhe nga vullnetarët, si laureati ynë i çmimit Nansen. Janë njerëzit që bashkojnë refugjatët dhe komunitetet pritëse. Në këta njerëz nuk kemi vetëm forcën tokësore, por edhe zemrën dhe impulsin moral për të arritur ndryshimin".

Blanchett theksoi se "njerëzit si Dr. Atari na frymëzojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë".

Dr. Atar punon në Bunj, në verilindje të Sudanit Jugor, ku ai drejton spitalin e vetëm, që shërben për më shumë se 200,000 njerëz, refugjatë dhe nga popullsia lokale.

Ekipi i tij në spitalin Maban kryen mesatarisht 58 operacione në javë, në kushte të vështira me furnizime dhe pajisje të kufizuara.

Në fjalimin e tij të pranimit, Dr. Atar tha se ishte shumë i nderuar të merrte çmimin prestigjioz, dhe theksoi se "megjithatë, ky çmim nuk është për mua si një individ. Çmimi është për ekipin tim në Maban".

Ai tha se mesazhi i tij për botën ishte: "Le të vazhdojmë pa u lodhur, duke mos kursyer asnjë përpjekje, në kërkim të paqes, në kërkim të paqes në Afrikë, në vendin tonë, në vendin tim”.

"Bota duhet të vazhdojë të kërkojë paqe në mënyrë që të kemi një vend më të mirë për të gjithë ne, të jetojmë në harmoni".

Eleanor Roosevelt, Graça Machel dhe Luciano Pavarotti janë ndër laureatët e çmimit ‘Nansen’ për refugjatët, por gjithashtu heronjtë e shquar, por jo të njohur sikur Dr.Atar, të cilët i janë përkushtuar punës për të zhvendosurit me forcë.

Login to post comments