Prishtinë, 3 tetor - Muzikanti amerikan, Iggy Pop, i cili ka marrë epitetin “kumbara i muzikës punk”, në një intervistë për gjigantin britanik “BBC Radio 6”, ka përmendur edhe shqiptarët. Këngë të dy bendeve nga Kosova, janë transmetuar për ta shoqëruar rrëfimin dy orësh të kantautorit, producentit e aktorit me nam.
Në mbrëmjen kur ka folur për radion britanike, Pop e ka lansuar një këngë ekskluzive e të padëgjuar më parë nga David Bowie. I gjithë rrëfimi i tij në “Iggy Confidential” të premten shoqërohet me këngë të ndryshme dhe Pop flet e komenton për kultura të shumta. “Katunare” e bendit “The Bloody Foreigners” dëgjohet në minutën 1:04 të intervistës, derisa në minutën e 59-të, dëgjohet edhe “Ballkan Mania” e bendit “Gipsy Groove”. “The Bloody Foreigners” është bend alternativ anëtarët e së cilit jetojnë në Londër. Përbëhet nga Fatos Bejta, Fatos Dërguti, Ardi Kelmendi dhe Josef Cook. Ndërsa “Gipsy Groove” është formuar në vitin 2010 dhe sjell në skenë muzikë autentike rome, të cilën e gërshetojnë në jazz, reggae, funk, ska, DnB. Vokalist është Bajram Kafu Kinolli, e pjesë e bendit janë edhe Faruk Banjska, Enver Muhamedi, Ivan Ivanov e Mirsad Dalipi.
“’Gipsy Groove’, besoj, është grup shqiptar. Gjithmonë kam qenë i interesuar për Shqipërinë, sepse për shumë vjet keni dëgjuar shumë pak për të, me përjashtim se ishte e paqasshme, me pushtet diktatorial. Por populli shqiptar është munduar që të ngrihet në këmbë. Në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe ka disa përplasje rreth atij vendi”, thotë Pop. Pastaj flet për rajonin në përgjithësi dhe muzikën.
Intervista e tij dhënë “BBC Radio 6” është shpërndarë nëpër rrjete sociale edhe në Kosovë