Ka “fundosur” tashmë një ministër, barka e presidentit Hashim Thaçi që lundroi fundjavën e shkuar në Liqenin e Ujmanit. Abelard Tahiri është në prag të largimit nga Qeveria, transmeton Koha.net.
Zhvillimet që lidhen me liqenin kanë nxjerrë në sipërfaqe problemet brenda Partisë Demokratike (PDK), subjekt që i përket ministri i Drejtësisë dhe të cilin e ka drejtuar Thaçi deri në kohën kur është bërë president i vendit. Krahas Tahirit, pritet të ikë edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, që po kështu mori pjesë në vizitën e paparalajmëruar të kreut të shtetit në liqenin që Serbia synon ta fusë brenda territorit të vet, nëpërmjet marrëveshjes që synohet të mbërrihet në fazën finale të dialogut me Kosovën. Të dy ministrat i ishin bashkëngjitur Thaçit, pa e njoftuar Kadri Veselin, i cili formalisht është kryetar i PDK-së.
“Ishte nder i veçantë që të jem pjesë e delegacionit të presidentit të Republikës së Kosovës, z. Thaçi, në vizitën e tij në Bernjak dhe në Ujman”, pati deklaruar të shtunën ministri Tahiri. “Ëndrra jonë për një Kosovë sovrane dhe kompakte, është bërë realiteti ynë i përhershëm”.
Atë ditë, në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), subjekt ky në opozitë, ka organizuar një nga protestat më të mëdha të pasluftës. Protesta ishte kundër idesë së presidentit për “korrigjim” të kufirit, nëpërmjet dialogut me Serbinë. “Korrigjimi” shihet si eufemizëm për shkëmbimin e territoreve.