Mes emrave të 27 personave të arrestuar gjatë operacionit “VOL-VO 4” është edhe Elis Guri. I riu nga Shkodra është një emër i njohur në botën e sportit të mundjes ku ka kulmuar me një medalje bronzi në Kampionatin Evropian. Ai është vënë në pranga i akuzuar për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” si dhe “Trafikim i narkotikëve”. Pas vitit 2008, Elis Guri përfaqësoi Bullgarinë në mundje.
Në qershor të këtij viti, pak kohë para se policia të godiste grupin e Bajrave në Shkodër janë regjistruar disa telefonata mes grupit të Avdylajve në Shijak dhe Bajrëve të Shkodrës.
Astmer Bilali, ish-kampioni i boksit (i arrestuar në aksionin e shtatorit në Shkodër) bashkë me ish-kampionin e mundjes Elis Guri kryenin trafik kanabisi, që sipas “Prokurorisë e bënin për llogari të Safet Bajrit. Sipas Prokurorisë, Astmer Bilali dhe Elis Guri i kanë shitur një sasi kanabisi dhe kokaine shtetasve Florenc Xheleku e Adnand Hupi.
Përgjimet
Në përgjimet telefonike, del që Xheleku telefonon Astmer Bilalin dhe i thotë që ka mbërritur dhe në këtë moment Astmer Bilali telefonon Elis Gurin dhe e vë në dijeni se “kanë ardhur ata shokët”, ndërsa kampioni i mundjes i thotë se “ndodhet në Tiranë dhe se ata duan atë që ai ka aty”, duke nënkuptuar sasinë e kanabisit.
Pas këtij konfirmimi Astmer Bilali lidhet sërish me Florenc Xhelekun dhe i thotë se po shkonte ta takonte, duke realizuar kështu edhe takimin e shkëmbimit të sasisë së kanabisit.
Në konkluzionet e saj Prokuroria shprehet se Astrit Avdyli, Altin Avdyli në lidhje me grupin e Lezhës ku bënin pjesë Gjevi Ndoka, Danjan Ndoka dhe të tjerë kryejnë trafik të lëndëve narkotike, kokainë dhe heroinë dhe Kolumbia dhe Peruja për shpërndarje në shtetet europiane si Holanda, Gjermania, Franca etj.
Karriera e Elis Gurit
Elis Guri ka lindur në Shkodër, më 6 korrik 1983 dhe është një sportist shqiptar i mundjes klasike në peshën 96 kg. Suksesi i tij më i madh shënohet së pari në Kampionatin Europian që u zhvillua në Finlandë, ku Elis Guri shpallet fitues i medaljes së bronzit në peshën 96 kg.
Por dhe në Kampionatin Botëror 2007 Elis Guri klasifikohet i 7-ti në peshën 96 kg, duke fituar të drejtën e përfaqësimit me kualifikim në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″.
Si pjesëmarrës për herë të parë në një olimpiadë, Guri renditet në vendin e 8-të, duke shënuar dhe rezultatin e dytë më të mirë të arritur nga kuqezinjtë tanë. Të tjera rezultate të Gurit mund të përmendin vendi i 7-të në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005”, medalje argjendi në turneu botëror Trofeu “Milone 2006”.
Pas vitit 2008, Elis Guri garon për Bullgarinë dhe me 13 shtator 2011 merr medaljen e arit në Kampionatin Botëror të Mundjes në kategorinë 96 kg.