Kursimet e individëve kanë shënuar rritje të ndjeshme në gusht dhe shtator, duke rikuperuar rënien e muajve të mëparshëm.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit shtator arriti në 985.5 miliardë lekë. Për dy muajt e fundit gusht dhe shtator, kursimet e shqiptarëve janë rritur me 8 miliardë lekë, pas një rënieje të vazhdueshme që kulmoi në maj (shih grafikun).
Rritja e këtyre dy muajve përkon me efektet sezonale të ardhjes së emigrantëve, të cilët një pjesë të kursimeve preferojnë t’i depozitojnë në bankat vendase.
Statistikat tregojnë se përmirësimi i treguesit të depozitave ka ardhur tërësisht nga valuta. Në dy muajt gusht-shtator, stoku i kursimeve në valutë, ku mbizotëron euro, u rrit me 17 miliardë lekë, ose rreth 134 milionë euro.
Në të kundërt, për të njëjtën periudhë kohore, depozitat në monedhën vendase janë reduktuar me 7.7 miliardë lekë. Prej disa vitesh, individët po ulin kursimet e tyre në lekë, teksa normat e interesit për depozitat 12-mujore janë më pak se 1%. Në krahasim me janarin e vitit 2014, kursimet në lekë të individëve janë reduktuar me gati 137 miliardë lekë, ose 1 miliard euro (nga 376 miliardë lekë në janar 2014, në 239 miliardë lekë në fund të shtatorit të këtij viti).
Ndonëse edhe normat e interesit të kursimeve të euro janë të pafavorshme dhe Banka e Shqipërisë ka nisur një fushatë që të dekurajojë përdorimin e monedhës së përbashkët në ekonomi, ajo vijon të mbetet e preferuar, duke qenë dhe një tregues indirekt i sasisë së lartë të valutës në qarkullim. Kjo është reflektuar dhe në kursin e këmbimit, me euron që vijon të mbetet e dobët, pavarësisht ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë për të hequr valutë nga tregu duke filluar nga muaji qershor.
Të dhënat tregojnë se pesha e depozitave në valutë në fund të shtatorit arriti në gati 54%, nga 53% që ishte në shkurt, kur Banka e Shqipërisë shpalli nismën për deeuroizimin e ekonomisë.