Kushtet e vështira në të cilat jeton familja Meta në Fier, në një hyrje të dhënë nga Enti i Banesave, është vetëm një pjesë e dramës së një historie fatkeqe.
Si të mos mjaftonte kjo situatë, Enti i Banesat ka hedhur në gjyq familjen sepse nuk kanë paguar qiranë, dhe iu ka thënë se duhet të lirojnë shtëpinë.
Ata rrezikojnë të mbesin në mes të katër rrugëve. Katër anëtarët e saj janë të verbër. Klementina Meta, 43-vjeçare jeton me të birin, i cili është i martuar dhe ka edhe një djalë.
Mungesa e shikimit është një fat i keq, të cilin ata janë të detyruar ta ndajnë së bashku. Të ardhurat që marrin nga kempi janë e vetmja mbështetje financiare për ta, ndërsa vizitën e Report Tv në banesën e tyre e shfrytëzojnë për të bërë apel për ndihme.
’Jemi në një varfëri të tejskashme. Shteti na jep një kemp prej 115 mijë lekë në muaj, por nuk është për asgjë. Shteti të vejë dorë mbi ne se na ka lenë në mëshirë të fatit’, ka thënë Klementina Meta, e verbër
Në një shtëpi me katër të verbër, një shoqërues është i domosdoshëm. Në familjen Meta, ai mungon.
‘Shoqërues nuk kemi. Jetojmë vetë të 4-të. Me sa mundësi kemi i vijmë vërdallë shtëpisë. Shikimin e kemi zero’, tregon Klementina Meta.
Edhe 27-vjeçar, Dionis Meta, thotë se gjendja ekonomike është tejet e rëndë.
‘Jemi 4 të verbër, jemi shumë të dobët, me një ekonomi shumë të dobët’ Dionis Meta edhe ky i verbër
Familjet në vështirësi ekonomike mund të jenë të shumta edhe në Fier, por ky rast është emergjent. Edhe institucionet duhet të reagojnë për të vënë dorë në mënyrë që edhe për familjen Meta, të ketë shpresë.