Vitin e ardhshëm qeveria do të ofrojë stimuj në para për të rritur numrin e lindjeve dhe duket se shqiptarët kanë gjithnjë e më shumë nevojë. Numri i lindjeve pësoi rënie rënie për tre tremujorë radhazi gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e tretë lindjet ishin më pak se 6900, në rënie me afro 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shqipëria ka hyrë në një spirale që nuk ndalet të zvogëlimit dhe plakjes së popullsisë.
Rritja natyrore e popullsisë ka rënë në nivele modeste, me rreth dy mijë individë në vit. Megjithatë, në disa qarqe të vendit edhe shtesa natyrore është negative. Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në jug të vendit. Në Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë edhe në tremujorin e tretë numri i vdekjeve është më i lartë se i lindjeve. Numri i lindjeve pësoi rënie në të gjitha qarqet e vendit, ku vlera më e ulët u regjistrua në Gjirokastër, me 111 lindje në tre muaj. Mosha mesatare e shqiptarëve ka arritur tashmë në 35 vjeç, ndërsa Instat ka parashikuar se në vitin 2031 ajo ka për t’u rritur në afro 42 vjeç.
Pakësimi dhe plakja e popullsisë do të jetë një problem madhor për ekonominë shqiptare brenda disa dekadash. Kjo është arsyeja pse qeveria ka vendosur të rrisë shpërblimin në para, megjithatë do të jetë e vështirë që kjo të mjaftojë për ta zbutur sadopak tendencën e rënies së lindjeve.