Gjatë 5 viteve të kaluara, prodhimi energjetik i Shqipërisë ka rënë ndjeshëm, me 22.8% tregojnë të dhënat zyrtare. Kështu, përgjatë 2017-ës, prodhimi energjetik primar, ku përfshihet jo vetëm energjia elektrike, por edhe nafta, qymyri, gazi natyror, drutë e zjarrit etj, fiksohet në 1661 njësi, ekuivalente me 1 ton naftë energji të çliruar. Në 2013-ën, këto njësi ishin 2041.
Rënia nxitet nga “peshat e rënda”, pra energjia elektrike dhe nafta, prodhimi i të cilave në 5 vite ka rënë ndjeshëm, tregojnë shifrat zyrtare. Të tjerat, ndërkohë, paçka se kanë një peshë mjaft të vogël në prodhimin energjetik të vendit, kanë pësuar një rritje të konsiderueshme.
Prodhimi i gazit natyror në vendin tonë, gjatë periudhës 2013-2017 është pesëfishuar, duke u ngjitur në 82 njësi, nga 16 që ishte më parë. E njëjta gjë vlen edhe për qymyrin, prodhimi i të cilit është 23-fishuar, nga 2 njësi, në 46 njësi në 2017-ën.
Kategoria e druve të zjarrit ndërkohë ka pësuar një rënie të lehtë gjatë këtyre viteve, duke zbritur nga 202 njësi, në 168 të tilla. Energjia elektrike është në rënie, nga 598 njësi, në 389 të tilla, pra në rënie të ndjeshme, thuajse përgjysmim.
Sa i përket naftës, prodhimi ishte 1207 njësi në 2013, dhe 959 njësi në 2017. Ndërkohë që prodhimi parësor i energjisë fiksohet në 1661 njësi ekuivalente me tonë naftë, konsumi fiksohet në 2147.
Deficiti mbulohet nga importet. Vetëm drutë e zjarrit janë të pavarur nga prodhimi i jashtëm, ndërkohë që të gjitha burimet e tjera të energjisë kanë një varësi të lartë nga importet.