Po të ishim në një shoqëri primitive, ku nuk ekzistojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe paktet, Ramush Haradinaj dhe qeveria e Kosovës sot, do të ishin të justifikuara për taksën 100% mbi importet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, pasi shifrat i japin të drejtë.
Po të shohim të dhënat zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezulton se, gjatë vitit të kaluar, në Kosovë kanë hyrë plot 449 milionë euro produkte nga Serbia, dhe 81 milionë euro nga Bosnje Hercegovina. Me janë taksë në 100% mbi produktet e importit, do të thotë se shteti i Kosovës do të fitonte po aq, pra një total prej 530 milionë eurosh.
Por, sigurisht që kjo shifër është në kushtet kur prodhuesit serb nuk do të dekurajoheshin nga kjo taksë e paprecedentë për të eksportuar drejt Kosovës. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës e ka shfajësuar këtë veprim me një logjikë të pastër proteksioniste, por kësaj here jo vetëm në drejtim të tregtisë.
Qeveria e Kosovës nuk ndihet e barabartë karshi Serbisë, dhe për të arritur qëllimet e saj po përdor “luftën” tregtare, ku sipas saj nuk ka çfarë të humbasë. Në mes të një debati proteksionist dhe me tipare nacionaliste, Shqipëria edhe mund të korrë përfitime nga ky vendim i qeverisë së Kosovës.
Për të sqaruar këtë, duhet të ballafaqojmë shifrat. Kosova ka importuar 449 milionë euro mallra nga Serbia në 2017 dhe vetëm 151 milionë euro nga Shqipëria, pra thuajse tre herë më pak. Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit do të mundeshin shumë mirë ta zëvendësonin hapësirën e lënë bosh nga Serbia.
Po për eksportet? Edhe këtu, shifrat përligjin vendimin e qeverisë së Kosovës, pasi flasin për vetëm 48 milionë euro eksporte drejt Serbisë dhe 60 milionë euro drejt Shqipërisë. Kjo do të thotë se, deficiti tregtar i Kosovës me Serbinë në vit fiksohet në 400 milionë euro. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës në drejtim të importit.
Shifrat e tregojnë qartë këtë. Pas Serbisë me 449 milionë euro në vit, ndjek Gjermania me 378 milionë euro, Turqia me 292 milionë euro, Kina me 275 milionë euro, Italia me 194 milionë euro, Maqedonia me 156 milionë euro dhe Shqipëria me 151 milionë euro, pra edhe më pak se Maqedonia.