Opozita e bashkuar do të nisë në janar përzgjedhjen për kandidatët në zgjedhjet për Bashkitë e vendit. Lajmin e bëri publik sot kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e cila ën një takim me strukturat e Partisë në Tiranë, kërkoi koordinim të strukturave me ato të Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare.
“Është krijuar fronti i përbashkët dhe ju them të gjithë kryetarëve në rrethe, të filloni koordinimin me strukturat e partisë Demokratike në rrethe dhe partive të tjera të opozitës” tha Kryemadhi.
Kryemadhi ka kërkuar që qytetarët t’i bashkohen protestës së banorëve të Unazës së Re. Kryemadhi tha se banorët që protestojnë prej 24 ditësh nuk janë heronj për faktin që i kanë dalë kundër Ramës, por se pavarësisht intimidimit kanë qëndruar bashkë.
Drejtuesja e LSI-së shtoi se shtëpitë e tyre janë ndërtuar me mund dhe se nuk jemi më në Komunizëm, ku qytetarët që zotëronin një biznes diskriminoheshin.
“Janë rraspakapitur për të ndërtuar shtëpinë e tyre. Nuk jemi në komunizëm kush kishte biznes quhej kulak. I bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen banorëve të Unazës së Re. Nuk janë heronj se dolën kundër Edi Ramës, por sepse kanë qëndruar bashkë, pas çdo dhune, presioni dhe intimidimi”, u shpreh ajo.