80 vite Radio Tirana, President Meta nderon zërat ikonë të saj

Tuesday, 27 November 2018 20:18

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka marrë pjesë sot në ceremoninë festive të 80-vjetorit të krijimit të Radio-Tiranës, që u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar.

Presidenti Meta duke përshëndetur veprimtarinë e vyer dhe punë e pakursyer të punonjësve dhe drejtuesve ndër vite, vlerësoi Drejtorin e parë të Radio-Tiranës, Gjergj Bubanin (pas vdekjes) me Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’; folësit e parë: Kaliopi Nushi dhe Haki Bejleri (pas vdekjes) si dhe operatorin Todi Bojdani (pas vdekjes) me Titullin ‘Naim Frashëri’.

Ndërsa me Titullin ‘Mjeshtër i  Madh’ komentatorin sportiv Anton Mazreku dhe mjekun e shquar Hamdi Sulçebeu (pas vdekjes) si dhe të mirënjohurën pedagoge, folësen dhe artisten zonjën Vera Zheji me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

Image

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh: 

‘28 Nëntori është data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; është Dita e Pavarësisë dhe Festa e Flamurit Kombëtar, dita e të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen, është dita që flet shqip më shumë se çdo ditë tjetër.

Por kjo ditë shqipe përkon edhe me datën e shënuar, të lindjes së Radio-Tiranës, më 28 nëntor 1938, këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të shtetit dhe të kombit shqiptar.

Në ambientet e radiostacionit të vjetër në Laprakë, kjo ditë, që filloi me përshëndetjen e Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldinë, shënon zanafillën e një rruge të gjatë dhe historike të Radio-Tiranës dhe të të gjithë personelit që punoi e vazhdon të punojë me përkushtim.

Një homazh të veçantë kam për Drejtorin e Parë, Gjergj Bubanin dhe për folësen e njohur Kaliopi Nushi, që po atë ditë nisi emisionin e parë në historinë e Radio-Tiranës.

Fillimet e Radio Tiranës, lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Stoli Beli, Hysen Vendresha, Viktori Xhaçka, Kaliopi Plasari, Evanthi Zoraqi-Ciko, Anton Mazreku, Lola Gjoka, Pjetër Gjini, Kristaq Antoniu, Liza Vorfi, Behije Çela, Hysen Pelingu, Kel Sata, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Kostaq Nase, Bardhyle Katundi, Mihal Stefa, Abdulla Grimci, Vath Çangu, etj.

Image

Krijimi i Orkestrës Simfonike të Radios, në vitin 1962, ishte një ngjarje madhore për Radio-Tiranën dhe për jetën artistike në vendin tonë, sepse muzika e bukur shqiptare e kultivuar dhe e regjistruar nga Radio Tirana jo vetëm transmetohej nëpërmjet valëve të saj por krijoi dhe mundësoi aktivitete të shumta artistike dhe pjesëmarrjen e artistëve të rinj.

Festivali i parë i këngës në Radio, që vijon edhe sot, për të na treguar jo vetëm historinë e lavdërueshme të këtij institucioni por edhe meritën që u kthye në një akademi të gjuhës dhe të muzikës shqiptare.

Radio-Tirana mban meritën që përmes dy gazetarëve të saj Alfons Gurashi e Agron Çobani  krijoi shkollën e radiokronikës shqiptare.

Padyshim, rruga nëpër të cilën ka ecur Radio-Tirana në këto 80 vjet, nuk ka qenë e lehtë dhe kjo për shkak se ngjarjet politike që kanë shënjuar vendin në gjithë këtë periudhë nuk mund të mos kalonin përmes saj. E megjithatë, Radio-Tirana ia ka dalë të mbijetojë, falë punës së jashtëzakonshme, profesionalizmit dhe dinjitetit të punonjësve e drejtuesve të saj.

Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social, apo çdo ngjarje artistike, u përcoll pikësëpari nga Radio-Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin.

Unë kam pasur fatin që të jem në kontakt me të gjithë ju, në situata nga më të ndryshmet gjatë karrierës sime. Për më tepër që dikur kam bërë edhe radio-kronistin sportiv, duke pasur nderin dhe privilegjin të jem në një farë mënyrë, edhe pse për pak kohë, nxënësi dhe kolegu juaj duke mësuar nga mjeshtërit e radio-fonisë sportive si Ismet Bellova apo Ahmet Shqarri. 

Por sonte me rastin e këtij jubileu historik, të 80-vjetorit të Radio-Tiranës, në respekt të institucionit tuaj, të punës shumëvjeçare, të sakrificave e kontributeve që të gjithë kanë dhënë përgjatë këtyre tetë dekadave, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu, por edhe ata drejtues, gazetarë, redaktorë, teknikë, përkthyes, folës shqiptarë e të huaj, të cilët e shndërruan Radio Tiranën në zërin më të fuqishëm mediatik të vendit tonë.

 Kam kënaqësinë e veçantë të përshëndes të gjithë gazetarët shqiptarë të Radio-Tiranës, kudo ku janë, që nga folësit e parë, e deri te të rinjtë e sotëm, të cilët më shumë se kushdo tjetër kanë ndikuar në përcjelljen e lajmeve, në emisionet e të gjitha fushave si dhe në zhvillimet demokratike duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në mënyrën tonë të përditshme të komunikimit. 

Image

Pas këtij rrugëtimi 80-vjeçar, të gjithë jemi të bindur që media në përgjithësi, por Radioja jonë e dashur, ajo që niste transmetimet me ‘Ju flet Radio-Tirana’ është një vlerë e shenjtë e vendit tonë, e historisë së popullit tonë si dhe e demokracisë. 

Media, ka një rol të pazëvendësueshëm për modelimin dhe ushqyerjen e opinionit publik me vlerat më të mira njerëzore e morale por edhe kombëtare.

 Të nderuar pjesëmarrës,

Të dashur gazetarë, 

Në këtë Vit Mbarëkombëtar kushtuar Heroit tonë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, si dhe të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit apo edhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe njësimit të Alfabetit të gjuhës sonë të bukur Shqipe, misioni dhe vepra e Radio Tiranës nuk kishte se si të mos mungonte e të mos vlerësohej edhe institucionalisht.

Valët e Radio-Tiranës kanë ngrohur zemrat e bashkatdhetarëve anembanë botës. 

Radio-Tirana, tashmë jo e vetme në tregun radiofonik shqiptar, është një institucion unik, i dashur për miliona dëgjues shqiptarë brenda e jashtë atdheut, duke përcjellë tek ata përmes gjuhës dhe kulturës së kombit, informimin, si një e drejtë universale e qytetërimit. 

Për këto arsye, duke pasur parasysh punën e palodhur, sakrificat dhe përkushtimin profesional e mbi të gjitha njerëzor e atdhetar, kam vendosur të vlerësoj disa nga figurat e shquara dhe disa prej korifenjve të paharruar të institucionit tuaj: Drejtorin e parë të Radio-Tiranës, Gjergj Bubanin (pas vdekjes) me Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’. 

Folësit e parë, Kaliopi Nushin dhe Haki Bejlerin (pas vdekjes) dhe operatorin e parë të Radio-Tiranës, Todo Bojdanin (pas vdekjes)  me Titullin ‘Naim Frashëri’.

 Me Titullin ‘Mjeshtër i  Madh’ Anton Mazrekun e Hamdi Sulçebeun (pas vdekjes).

 Si dhe të mirënjohurën pedagoge, folëse, artisten dhe rrëfimtaren me zërin e saj të paharrueshëm dhe të spikatur, zonjën Vera Zheji me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

 Gëzuar së bashku 80-vjetorin e Radio-Tiranës!

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!’

Image

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...