Banorët e ‘Astirit’ ndodhen në ditën e 25-të të protestës kundër planit që parashikon prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre. Por paralelisht me këtë protestë, vijon një tjetër protestë që ka mbetur jashtë vëmendjes së mediave. Bëhet fjalë për protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Faqja ‘Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit’ ka publikuar foton e një punonjësi të bashkisë që po bën matjet për shembjen e pedonales ‘Murat Toptani’, e cila sipas Partisë Demokratike, do shndërrohet në rrugë për t’i shërbyer kullave që planifikohen të ndërtohen te Teatri Kombëtar.
Aktivistët e mbrojtjes së teatrit paralajmërojnë se kryebashkiaku Erion Veliaj do të dështojë si te ‘Astiri’, në periferi të Tiranës, ashtu edhe në qendër të saj.
“Po ndodh tani në Pedonale. Punëtorë po bëjnë matje për shembjen e Pedonales dhe Teatrit. Me sa duket, Erion Veliajt nuk i mjafton përplasja te Astiri, por provon dhe në qendër. Do dështoj te të dyja. Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruajnë aktivistët.
Dy ditë më parë, media prestigjioze austriake, Der Standard, publikoi një artikull kur renditeshin të gjitha shkeljet në planin dhe në ligjin që parashikon shembjen e godinës së teatrit.