Komuniteti shqiptaro-amerikan i Nju Jorkut u mblodh dje për Ditën e Pavarësisë në një aktivitet festiv ku u nderuan edhe figura të shquara të kombit. Në një gjest simbolik për të reflektuar unitetin kombëtar, personalitetet ishin zgjedhur për të përfaqësuar të gjitha trojet shqiptare.
Në hollin e bashkisë së Nju Jorkut, kumbuan tingujt e himnit amerikan, pasuar nga himni shqiptar, që hapën mbrëmjen festive, të organizuar nga Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Për të simbolizuar këtë bashkim, organizatorët kishin zgjedhur gjashtë figura të komunitetit për të përfaqësuar Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Preshevën, dhe Çamërinë.
Elez Biberaj, shefi i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, nga një familje me origjinë nga Shqipëria, u nderua mbrëmë për kontributin akademik dhe ndikimin në zhvillimet historike me punën e tij. Zoti Biberaj u shpreh se vlerësimi përfaqëson një nder të veçantë për të:
Së pari sepse më jepet nga një biri i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj, puna dhe roli udhëheqës i të cilit duhet të shërbejnë si frymëzim për këdo që të angazhohet në shërbim të publikut. Një tjetër arsye është se më jepet ky nderim në këtë tempull të demokracisë, në bashkinë e Nju Jorkut, një qytet që hapi krahët për familjen time kur emigroi. Gjithashtu, ndjehem i nderuar që e marr këtë vlerësim në Ditën e Flamurit”.
Për të përfaqësuar Kosovën, organizatorët kishin përzgjedhur zotin Gani Shehu, i nderuar për angazhimin për tij në luftën për çlirimin e Kosovës dhe për punën e tij me komunitetit shqiptaro-amerikan. Ilirjan Rusi përfaqësonte në këtë mbrëmje shqiptarët e Maqedonisë dhe u nderua si një ndër aktivistët e parë që themeluan Këshillim Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Gjekë Gjonlekaj, u veçua si një përfaqësues i shquar i shqiptarëve të Malit të Zi, i nderuar si për kontributin ndaj letrave shqiptare, ashtu edhe për rolin në zhvillime të rëndësishme për kombin. Rexhë Xhakli, me origjinë nga Presheva, u nderua për kontributin bamirës të treguar si ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, ashtu edhe ndaj refugjatëve të luftës që vinin nga Kosova.
Nazo Veliu, e zgjedhur për të prezantuar simbolikisht Çamërinë, u nderua për aktivitetin e saj si anëtare e Federatës Panshqiptare Vatra. Në fjalën e saj zonja Veliu kujtoi vuajtjet e familjes që ishte dëbuar nga Çamëria:
“Babai lindi në Filat; erdhi kur ishte 10 vjeç në Shqipëri dhe nuk u kthye kurrë më në Çamëri. Ai vdiq në moshën 67 vjeç dhe gjithë kohës zemra i qau për vendlindjen që la pas”.
Rrëfime e kujtime shpesh të zymta përcjellin një mesazh të forcës e vitalitetit të kombit. Një sallë e mbushur me qeleshe e një rini në veshje tradicionale dëshmon një komunitet që megjithëse ka hedhur rrënjë prej një shekulli në Nju Jork, ruan ende një identitet të qartë kombëtar.