Rrëfimi i dhimbshëm i një përdoruesi droge

Saturday, 01 December 2018 20:45

Andi sot 43 vjeç tregon por në rrugën e dhimbshme të përdorimit të drogës ka hyrë para 18 vitesh. Ai është shembulli më i mirë i betejës së fituar kundër drogës, pasi sot ai nuk pi më asnjë substancë narkotike. Madje prej disa kohësh punon në qendrën “Stop Aids” duke ndihmuar përdoruesit e tjerë.

“Në fillim të duket si një lojë, pastaj të bëhet e nevojshme. Të duket sikur s’ke më halle, sikur je më i lirshëm, sikur je ndryshe nga të tjerët, më i mirë se të tjerët”.

Andi është kontakti i parë me përdoruesit e drogës, i pret ata, u jep paketën me shiringa të pastra njëpërdorimshe dhe mjetet e tjera sterile, më pas i lidh me psikologen e qendrës për këshillim.

“Në fillim nis si pirje duhani, e fillon deri diku me hashash pastaj kalon në diçka më të këndshme siç është heroina me tymosje, pastaj ajo kënaqësia që të jep tymosja kalon në derivat tjerët që është marrja e heroinës me injektim, që është edhe me ekonomike”.

Andi rrëfen për “Klan Plus” momentet e vështira në rrugëtimin e tij.

“Ndonjëherë diku diçka të mungon dhe atë diçka e plotëson me marrjen e asaj substance të ndaluar”.

Ju keni fëmijë?

Andi: “Po një vajzë”.

Nuk është ajo një arsye e fortë për tu shkëputur?

Andi: “Po jo gjithmonë ka qenë, ka qenë, por jo gjithmonë”.

Shpesh herë këta persona braktisen nga familja, por edhe nga miqtë.

“Edhe familja ndonjëherë lodhet, thotë u bë kaq vjeç dhe nuk po vendos akoma të largohet nga ajo rrugë”.

Përdorimi i drogës është një kalvar i gjatë vuajtjeje. Sipas tij, edhe ata që shkëputen, sërish mund ta gjejnë veten në kthetrat e saj. Madje 43-vjeçarit rikthimi te droga i ka ndodhur disa herë. Kjo edhe për faktin, se është e lirë, por edhe e lehtë të gjesh heroinë në Tiranë.

“Po rreth 7 – 8 herë, diçka e tillë. Arsyeja ka qenë dëshira, bukuria, kënaqësia që të jep ajo që përdor. Zakonisht hashash dhe heroinë, ndonjëherë edhe kokainë”.

Sipas tij një konsumator heroine apo kokaine e ka shumë të vështirë t’ia dalë i vetëm, duhet patjetër të angazhohet dhe të integrohet në shoqëri.

Login to post comments