Prej datës 2 dhjetor 2018 në Shqipëri nuk lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim autoveturat e përdorura, të prodhuara jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë. Gjithçka parashikohet në një vendim qeverie, që u miratua në datën 26 tetor, por që hyn në fuqi pikërisht në fillim të dhjetorit, duke ndaluar importin e të gjitha makinave të prodhuara para datës 2 dhjetor 2008.
Vendimi parashikon ndalimin e importit edhe për motorët, autobusët dhe kamionët, që janë prodhuar deri në 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Sipas dokumentit, tashmë lejohen në futen në Shqipëri vetëm 4 kategori automjetesh e më konkretisht autoveturat, me kilometrazh zero, që përmbushin normën EURO 5, autobusët dhe kamionët M2 dhe N1, me kilometrazh zero, si dhe autoveturat e përdorura që janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, që përmbushin normën EURO 4 të BE, të prodhuara jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Kategoria e katërt që do të mund të regjistrohen janë mjetet e tjera motorike motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, të përdorura, të cilat përmbushin normën EURO 3 duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Ndërkohë që, automjetet, të cilat tashmë kanë hyrë ne territorin shqiptar, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme, pasi në këtë kundërt nuk do të mund të regjistrohen. Hyrja në fuqi e këtij vendimi pritet të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e automjeteve në vend, duke qenë se pjesa më e madhe e tij dominohet nga makina të prodhuara para vitit 2009.