Universiteti i Tetovës e shënoi Ditën Ndërkombëtare të personave në nevojë

Hënë, 03 December 2018 15:58

Me moton, “Duam, dëshirojmë, lutemi dhe punojmë për integrimin e plotë të personave me nevoja të veçanta”, Universiteti i Tetovës e shënoi 3 dhjetorin, Ditën ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta. Profesorët dhe studentët e katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit të Fakultetit Pedagogjik të UT-së, në bashkëpunim me nxënësit dhe arsimtarët e paraleleve me nevoja të veçanta të shkollës fillore “Liria” në Tetovë, këtë ditë e shënuan me disa aktivitete, me qëllim sensibilizimin e popullatës, që edhe kjo pjesë e shoqërisë të integrohet sa më shumë dhe të ndjehet e barabartë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bëri thirrje deri te të gjithë profesorët e katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit që në të ardhmen të krijojnë platforma dhe projekte të ndryshme me qëllim që sa më shumë t’u kushtohet rëndësi këtyre personave. “Në emër të Universitetit të Tetovës dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë organizim që keni bërë sot. Universiteti i Tetovës vazhdimisht do të jetë në përkrahje të aktiviteteve të këtilla dhe për këtë ju premtoj. Ashtu siç e keni organizuar këtë eveniment ju ftoj dhe ju inkurajoj që të vazhdoni me aktivitete të këtilla, po ashtu profesorëve dhe studentëve të Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit të Universitetit tonë do ju kisha propozuar që të ndërtojnë dhe të ngrenë projekte të ndryshme rreth ndihmesës që mund t’i japin këtij programi studimor” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadbi Osmani, u shpreh se kjo ngjarje, përveç tjerash, ka rëndësi për informimin e opinionit për një qasje më gjithëpërfshirëse në identifikimin dhe trajtimin e personave me nevoja të veçanta, kur kemi parasysh faktin se numri i tyre sa vjen e ritet me fëmijët autikë dhe hiperaktivë.
Prodekani për Arsim i Fakultetit Pedagogjik i Universitetit tonë, Prof. Dr. Bunjamin Memedi në fjalën e tij para auditorit tha se sot është shumë e rëndësishme që secili të jetë i vetëdijshëm se personat me aftësi të kufizuara janë anëtarë të barabartë të shoqërisë dhe se mund të kontribuojnë në përpjekjet e tyre më të mira dhe të pasurojnë jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
Në këtë manifestim para profesorëve, studentëve dhe një numri të madh të prindërve, fëmijët me nevoja të veçanta shfaqën disa këngë dhe poezi me ndihmën e studentëve të Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit. Nxënësit e paraleleve me nevoja të veçanta të shkollës fillore “Liria” në Tetovë, Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametit, i ndanë një dhuratë me simbol Lule Diellin të punuar nga vetë ata.
Po ashtu për nder të 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta u realizuan edhe disa aktivitete sportive të organizuara nga Klubi i Atletikës “Studenti” i Universitetit të Tetovës.

Login to post comments