Meta: Dialogu Kosovë-Serbi të mos hyjë në shtigje të shpikura

Premte, 21 December 2018 21:17

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë për RTK-në ka deklaruar sot se “Kosova ka treguar gatishmëri maksimale për të bashkëjetuar në paqe me Serbinë. Ka treguar vullnet maksimal për të garantuar në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe pozitive bashkëjetesën brenda Kosovës edhe me serbët e Kosovës apo qoftë me pakicat e tjera”, - është shprehur ai. Duke komentuar ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Meta ka theksuar se “procesi i dialogut nuk ka arsye për të hyrë në shtigje të shpikura. Procesi i dialogut ka qenë në mënyrë të qartë për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të ecë drejt marrjes së statusit kandidat dhe njëkohësisht drejt çeljes së negociatave, gjë që ka ndodhur. Dhe njëkohësisht synon që përmes një marrëveshjeje përfundimtare të zgjidhë edhe të ardhmen e Serbisë si një vend anëtar në BE dhe Serbia të fitojë perspektivë të qartë europiane, si çdo vend që duhet të zgjidhë problemet me fqinjët”, - është shprehur Meta. Sipas Presidentit të Shqipërisë “natyrisht, kjo kërkon që njëkohësisht Serbia të njohë këtë realitet duke u sjellë si një shtet i gatshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Devijimi pastaj i dialogut në çështje të tjera nuk i shërben mendoj as Serbisë, as Kosovës, as rajonit tonë dhe besueshmërisë së BE-së për vlerat mbi të cilat është krijuar dhe ekziston”, - ka theksuar Meta.


PJESË NGA INTERVISTA

 

Gazetari: Zoti President, Serbia siç ishte paralajmëruar nuk e ka mirëpritur krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Prej andej vijnë deklarata me narrativë mjaft nacionaliste, deklarata që po prodhojnë edhe shantazhe e frikësime për serbët e Kosovës, që të mos bëhen pjesë e FSK-së, tashmë edhe Ushtria e Kosovës. Sipas jush, Serbia e sotme a është e gatshme për paqe me Kosovën?

Presidenti Meta: Kosova ka treguar gatishmëri maksimale për të bashkëjetuar në paqe me Serbinë. Ka treguar vullnet maksimal për të garantuar në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe pozitive bashkëjetesën brenda Kosovës edhe me serbët e Kosovës apo qoftë me pakicat e tjera. Sigurisht që pyetja nuk mendoj se është kjo, por pyetja duhet të ishte: Serbia që dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian, a mund të ecë me një politikë të tillë ndaj një realiteti i cili në mënyrë dominante njihet nga i gjithë kontinenti, nga BE dhe nga fqinjët e tjerë?

Gazetari: Ju keni një përvojë të gjatë në politikë. Qysh në krye të herës keni pasur dhe keni lidhje vëllazërore me drejtuesit aktualë të shtetit të Kosovës, dikur komandantë të UÇK-së. Këto lidhje ju i keni krijuar në vitet ‘90 në rrethana tepër të vështira për tranzicionin këtu në Shqipëri, sikundër ishin vite të vështira natyrisht edhe për Kosovën që përballej me fushatën e Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës. Pra, ju jeni personalitet politik që keni qenë i përfshirë në memorien e kosovarëve në të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Qëndroj te tema e Ushtrisë, pasi kosovarët dhe shqiptarët kanë përjetuar një entuziazëm kolektiv me këtë ngjarje. Për ju personalisht Zoti President, çfarë do të thotë krijimi i Ushtrisë së Kosovës?

Presidenti Meta: Do të thotë një fazë e re e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe plotësim i kuadrit funksional të një shtetit që është në gjendje të marrë përgjegjësi të plota.

Gazetari: Si Ilir Meta si e keni përjetuar këtë ngjarje? E them këtë duke pasur parasysh lidhjet e forta që keni me Kosovën ndër vite.

Presidenti Meta: Kjo është një ngjarje mjaft pozitive dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk kemi të bëjmë thjesht me një moment. Kemi të bëjmë me kalimin drejt një cilësie të re të institucioneve të sigurisë dhe të mbrojtjes në Kosovë. Ky është një proces që ka nisur prej kohësh dhe kjo ka qenë një pritje e natyrshme për të kaluar në këtë fazë të re, sepse ka qenë e paralajmëruar, e përgatitur, madje dhe e shtyrë pak në kohë, por absolutisht që është një ngjarje kyçe në procesin e forcimit të shtetit të Kosovës.

Gazetari: Të flasim për aktualitetin politik kosovar. Përsa kohë keni qenë aktiv në jetën politike, keni qenë vazhdimisht i përfshirë në atë kontekst politik, me lidhjet që keni me strukturën e sotme të politikanëve që e drejtojnë shtetin. Kosovarët mbanin shumë shpresa se këtë vit do të lëviznin pa viza, por kjo nuk ua rrit pavarësisht përmbushjes së një kuadri të gjerë kushtesh, që vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk i kishin. A prisni që ky proces, pra mos-liberalizimi i vizave për Kosovën të ketë pasoja?

Presidenti Meta: Natyrisht që edhe unë jam i zhgënjyer për këtë zhvillim aspak të mirëpritur, përkundrazi, për këtë zhvillim tepër zhgënjyes në raport me pritshmëritë, sepse Kosova prej kohësh ka plotësuar të gjitha kushtet teknike, që vendet e tjera, përfshi edhe Shqipërinë....

Gazetari: Dyfish më shumë kushte sa vendet e tjera...

Presidenti Meta: Më shumë, kjo është e padiskutueshme. Këtë e ka konfirmuar shumë qartë edhe Komisioneri përkatës, z.Avramopulous dhe kuptohet që këtu kemi të bëjmë më shumë me një çështje të mosarritjes së konsensusit për shkak të diferencave të caktuara brenda BE-së. Unë uroj dhe dëshiroj që kjo ngjarje pavarësisht se sjell një frustrim që ne të gjithë e kuptojmë dhe e kemi mjaft të vështirë për t’u vetëpërmbajtur, përsëri ky problem duhet përballuar me shumë durim dhe vetëpërmbajtje, sepse çdo nervozizëm do të kontribuonte thjesht më shumë në interes të atyre zërave, që janë skeptikë për të njohur shtetin e Kosovës apo që nuk janë të angazhuar për të garantuar të drejtat e qytetarëve të Kosovës si të gjithë qytetarët e tjerë në rajonin tonë.

Gazetari: Nga takimet që keni zhvilluar muajt e fundit me zyrtarë të Bashkimit Europian a e keni nënvizuar qartësisht nevojën që Kosova të mos mbetet mbrapa në këtë proces, të jetë pjesë bashkë edhe me vendet e tjera që Kosova ta gëzojë lirinë e lëvizjes së lirë në zonën Shengen? A mundet të na jepni detaje nga takimet që keni pasur me zyrtarë të lartë të BE-së sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën?

Presidenti Meta: Unë detaje nuk mund të jap, por mund të them se shumë zyrtarë të lartë të BE-së janë gjithashtu të zhgënjyer për mosmarrjen e një vendimi pozitiv dhe sikurse ka zyrtarë të lartë, zyrtarë më të përgjegjshëm sikurse përmenda z. Avramopulous, i cili publikisht ka deklaruar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike për realizimin e kësaj marrëveshjeje për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, duhet të kemi parasysh se problemi është politik dhe Europa e BE-ja nuk janë në momentet më të mira. Jo vetëm kaq, por janë edhe në prag të zgjedhjeve europiane, që do të zhvillohen pas disa muajsh dhe kuptohet që rritja e forcave populiste, të djathta dhe të majta, ka sjellë këtë frenim në vendimmarrje. Por unë besoj që ky është një moment sidoqoftë kalimtar.

Gazetari: Zoti President, e thatë edhe ju se ndoshta çështjet e brendshme të BE-së janë faktor i ri që i kanë bërë vendet anëtare të jenë të frenuara rreth këtij vendimi, por përshtypja e kosovarëve kolektivisht është se po diskriminohen. A mund të pritet që liberalizimi i vizave të përdoret si instrument i kushtëzimit për Kosovën përsa kohë që shteti ynë po vijon një proces të brishtë dialogu me Serbinë?       

Presidenti Meta: Kjo nuk do të ishte e drejtë për arsye sepse liberalizimi i vizave është konsideruar si një proces teknik dhe Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe shumë më tepër se të gjithë vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë e Serbinë në të kaluarën. Çdo kushtëzim që bazohet në mohimin e një të drejte është i padrejtë.

Gazetari: A mund të kushtëzohet Kosova në këtë vijim të procesit të rëndësishëm të dialogut me Serbinë, edhe me çështjen e vizave?

Presidenti Meta: Besoj se procesi i dialogut nuk ka arsye për të hyrë në shtigje të shpikura. Procesi i dialogut ka qenë në mënyrë të qartë për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të ecë drejt marrjes së statusit kandidat dhe njëkohësisht drejt çeljes së negociatave, gjë që ka ndodhur. Dhe njëkohësisht synon që përmes një marrëveshjeje përfundimtare të zgjidhë edhe të ardhmen e Serbisë si një vend anëtar në BE dhe Serbia të fitojë perspektivë të qartë europiane, si çdo vend që duhet të zgjidhë problemet me fqinjët.

Natyrisht, kjo kërkon që njëkohësisht Serbia të njohë këtë realitet duke u sjellë si një shtet i gatshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Devijimi pastaj i dialogut në çështje të tjera nuk i shërben mendoj as Serbisë, as Kosovës, as rajonit tonë dhe besueshmërisë së BE-së për vlerat mbi të cilat është krijuar dhe ekziston.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...