Gjatë një intervistë të dhënë sot në mbrëmje për RTK, Presidenti Meta ka ndarë me publikun pritshmëritë e tij për shqiptarët në vitin e ri 2019.
Gazetari: Zoti President, do të doja në fund një mesazh për Vitin 2019, se çfarë do të sjellë për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët në Ballkan, në pritshmëritë e tua, në gjykimin tuaj, në mesazhin tuaj?
Presidenti Meta: Unë shpresoj shumë që për Shqipërinë të sjellë çeljen e negociatave për anëtarësim. Shpresoj shumë që me përmbylljen e Marrëveshjes së Prespës nga Maqedonia dhe Greqia, Maqedonia t’i bashkohet NATO-s, dhe të çeli negociatat për anëtarësim bashkë më Shqipërinë, sepse kjo është edhe në interes të shqiptarëve të Maqedonisë dhe gjithë rajonit tonë.
Sigurisht, shpresojmë shumë që të kemi një sukses përsa i takon dialogut të Kosovës me Serbinë, sepse një marrëveshje e suksesshme do të zgjidhte shumë probleme të tjera të mëdha të qytetarëve të Kosovës apo edhe të shqiptarëve në Serbi në interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve, por edhe të gjithë rajonit tonë.