Policia e Gjirokastrës ka zbarkuar në fshatin Lazarat në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Shkak është bërë një telefonatë anonime që ka mbërritur në sallën operative të Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës. Telefonuesi nga Lazarati raportoi për një përplasje me armë mes dy grupeve rivale në këtë fshat, që kishte patur edhe pasoja. Policia rrethoi menjëherë zonën, si dhe u ngritën 2 postoblloqe në fund të fshatit, në Kordhocë, në afërsi të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavije. Pas shumë kërkimesh në terren rezultoi se alarmi ishte fals.
Lazarati është një nga zonat e Shqipërisë që ka qenë tejet problematike deri para 4 vitesh. Në Lazarat u kultivua kanabis përreth dy dekada. Këtij aktiviteti kriminal i erdhi fundi në vitin 2014, kohë kur Policia ndërhyri në një aksion anti-drogë ku u shkulën mijëra rrënjë kanabis sativa.