Skandali i tenderit të Unazës së re, duket se ka trembur jo pak qeverinë shqiptare duke e detyruar atë të pezullojë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Edhe pse tenderi për këtë konçesion, ju dha kompanisë Gener 2 në korrik të këtij viti, Ministra e Energjisë ka vendosur të stopojë negocimin e kontratës dhe miratimin e saj në qeveri.
Dy burime konfidenciale, në nivele të larta në qeveri, konfirmuan për Syri.net se vendimi për pezullimin e koncesionit është marrë menjëherë pas shpërthimit të skandalit me tenderin e Unazës së Tiranës, por ende nuk është e qartë nëse koncesioni është anulluar përfundimisht apo thjesht është pezulluar për një afat të pacaktuar.
Thumanë-Kashar është koncesioni më i përfolur i programit 1 miliardë euro. Kjo rrugë ka një gjatësi vetëm 20 kilometra dhe ishte parashikuar të kushtonte deri në 370 milionë dollarë, me një rekord prej 18.5 milionë euro për kilometër.
Kostoja marramendëse e këtij konçesioni që u fitua nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt shkaktoi shumë kundërshti në publik, por pavarësisht kësaj qeveria duket e vendosur për ta nënshkruar kontratë. Por pas publikimit të skandalit të Unazës, qeveria duket se është trembur dhe ka vendosur të ndalojë miratimin e koncesionit të autostradës Thumanë-Kashar.
Lidhja me unazën
Afera korruptive e tenderit të unazës së Tiranës, shpërtheu kur emisioni Të Paekspozuarit" publikoi dokumenta që tregonin se kompania guackë Dunwell Haberman kishte falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit në Delaëare për të fituar kontratën në Shqipëri.
Një investigim i mëvonshëm i Zërit të Amerikës hodhi dyshime se pas Dunwell Haberman qëndronte pikërisht kompania Gener 2 e biznesmenit Bashkim Ulaj.
Madje dokumentat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dëshmojnë se pagesa për themelimin e kompanisë DH Albania në Tiranë është bërë pikërisht nga llogaria e Gener 2.
Afera e tenderit të Unazës së Tiranës është nën hetim jo vetëm nga Prokuroria e Tiranës, por edhe nga autoritetet amerikane.
Hetimi i amerikanëve dhe kostoja stratosferike e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar duket se kanë trembur qeverinë shqiptare për të miratuar kontratën me firmën Gener 2.