Ky janar nisi përgjakshëm, edhe pse Shqipëria renditet ndër vende me numrin më të lartë të policëve në Europë. Për çdo 100 mijë banorë në Shqipëri ka mesatarisht 392 policë, rreth 74 policë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Nga të dhënat e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në Shqipëri numërohen rreth 10,985 policë në të gjithë vendin. Monitor ka përllogaritur numrin e policëve për 100 mijë banorë, në mënyrë që të dhënat të jenë të krahasueshme. Ka një polic për çdo 254 persona në Shqipëri.
Në vendet anëtare të Bashkimit Europian ka rreth 312 policë për çdo 100 mijë banorë sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Në të gjithë BE-në janë rreth 1.6 milionë oficerë policie. Numri i policëve në BE është pakësuar me rreth 3.4% që prej 2009-s.
Rekordin në Europë për numrin më të lartë të policëve për 100 mijë banorë e mban Qipro, me 573 policë. Më pas renditet Malta me 505 policë, Greqia me 492 policë (100 policë më shumë se në Shqipëri), Kroacia me 490 policë, Letonia me 461 policë. Edhe Italia ka një numër mbi mesataren e Bashkimi Europian të policëve, me rreth 453 policë për 100 mijë banorë.
Vendi me numrin më të ulët të policëve për 100 mijë banorë është Hungaria. Sipas llogaritejeve ë Eurostat, në Hungari ka rreth 90 policë për 100 mijë banorë.
Vendet e Europës Veriore kanë një numër të ulët të oficerëve të policisë gjihashtu. Në Finlandë ka mesatarisht 137 policë për 100 mijë banorë, në Danimarkë ka rreth 186 policë, ndërsa në Suedi 203 policë.
Në vendet e tjera të zhvilluara të Bashkimi Europian, si Gjermania, ka mesatarisht 297 policë për 100 mijë banorë, ndërsa në Francë 326 policë, me shumë se mesatarja e BE-së.