Nga Alexander Haneke, FAZ
Nuk ka një tjetër temë që ka preokupuar më shumë dhe më intensivisht agjencitë perëndimore të sigurisë gjatë këtyre viteve të fundit sesa terrorizmi ndërkombëtar. Megjithatë, financimi i terrorizmit mbetet një temë pak e kërkuar. Një arsye për këtë është e thjeshtë: financimi i terrorizmit përfshin dy fusha që shpesh trajtohen ndaras: terrorizmi dhe krimi i organizuar.
Këtë temë e kanë trajtuar autorët Arthur Hartmann, Trygve Ben Holland dhe Sarah Holland në librin e tyre të fundit për pastrimin e parave në Europë. Titulli duket pak i çuditshëm, pasi të krijon idenë e një diskutimi të përgjithshëm pa vlerë për fushën, por në fakt është një studim specifik i kontekstit, i vendosur në Ballkanin Perëndimor, më konkretisht në Shqipëri.
Teza e hedhur në libër mund të duket si një befasi e madhe, por ndërvarësia e terrorizmit me krimin e organizuar njihet të paktën që nga mbijetesa e shumë strukturave terroriste të majta të viteve ’70 me botën e krimit e deri te rasti i bashkëpunimit të FARC me trafikantët e drogës në Kolumbi. Të dyja këto fusha dhe modeli i tyre i biznesit ofrojnë një sinergji të madhe: të dyja fushat punojnë në mënyrë të nëndheshme me armë dhe me frikën e njerëzve.
Nga ana tjetër, Shqipëria është praktikisht e predestinuar për hetimin e lidhjeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit islamik në kushte laboratorike. Një vend në buzë të BE-së dhe me rajone që janë të vështira për të hyrë, me një shtet të dobët dhe me struktura mafioze të vjetra, të organizuar teknikisht dhe me një ekspozim të fortë në botën islamike. Sa i përket tolerancës fetare, Shqipëria, një vend me gjysmën e popullsisë myslimane, vazhdon të jetë një mode dhe nuk është aspak në rrezik, sipas autorëve, për përhapjen e islamizmit militant. Por këtu pleksen shumë faktorë së bashku: që në fillim të viteve ’90, aktorët islamikë ishin aktivë në Luftërat Ballkanike dhe rekrutuan shumë luftëtarë në Shqipëri. Ata iu bindën thirrjeve më pak nga bindja ideologjike sesa nga alternativa, diçka që ka ndryshuar pak që nga atëherë. Më shumë se 25 vjet nga hapja e vendit nuk kanë sjellë një ngritje të gjerë ekonomike, por më shumë një stanjacion, madje në disa rajone ka patur përkeqësim.
Përveç kësaj janë edhe prania e madhe e shqiptarëve në Lindjen e Mesme dhe investimet e donatorëve islamikë në Ballkan. Që në fillim të viteve ’90, Al Kaeda thuhet se ka qenë aktive në Shqipëri në kontrabandën e dogës dhe armëve si dhe në pastrimin e parave. Shefi i tyre, Usama bin Laden mendohet se kishte një dokument udhëtimi të Republikës së Shqipërisë. Një nga gjetjet pozitive të këtij libri është fakti se islamizmi radikal nuk është përhapur në mesin e popullatës shqiptare, përkundër këtyre kushteve.
Një shqetësim tjetër për këto kushte lidhet me kushtet thuajse ideale për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Në Shqipëri, një vend kandidat për pranim në Bashkimin Europian që prej vitit 2014, kontrollet mbi paratë cash janë po kaq joefektive sa monitorimi i transaksioneve financiare. Dokumentet mezi kontrollohen kur hapen llogaritë bankare, kartat e rreme të identitetit qarkullojnë kudo në vend. Bastet dhe lojërat e fatit lulëzojnë- licencat sigurohen me lehtësi nga zyrtarët e korruptuar- në vend ka një rrjet të pakontrolluar të këmbimit valutor. Ata shpesh kanë lidhje me zyra ‘miqësore’ jashtë vendit, të cilat transferojnë në mënyrë diskrete shuma të mëdha parash. Të ardhurat nga bizneset e paligjshme mund të nxirren lehtësisht jashtë vendit dhe mund të pranohen kollaj në tregun e rregullt të parasë.
Autorët kanë sjellë shembuj të qartë nga një firmë ligjore dhe konsulence, siç është kërkesa e një ndërmjetësi nëse mund të përcjellë 15 anije me naftë bruto për klientët në BE ose në Shtetet e Bashkuara. Dyshimi se këto ishin ‘stoqe’ të Shtetit Islamik është më se i qartë. Kultivimi i drogës është- pavarësisht përpjekjeve të konsiderueshme- deri më tani i paprekur. Sidomos me kontrabandën, autorët tregojnë shembujt e shumtë për mënyrën se si strukturat shtetërore përmirësohen me përpjekje të mëdha dhe ndihmë ndërkombëtare- por nëpunësit lokalë shpesh e hapin një derë të pasme.
Autorët u sjellin lexuesve shembuj të shumtë dhe konkretë, disa me stil të thatë dhe burokratik, shoqëruar me dokumente. Por ka edhe stil satirik. Në një rast, autorët përballen me një deputet të parlamentit shqiptar. Ai ose nuk ka dëgjuar për problemet me të cilat e konfrontojnë autorët, ose mohon ekzistencën e tyre duke refuzuar të merret shumë me temën duke u shprehën se ‘Perëndimi e ka fajin për situatën në fjalë’.
Sigurisht, autorët e studimit nuk thonë shumë gjëra të reja për lidhjet aktuale mes mafies shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare terroriste. Në veçanti për Shqipërinë, ata i referohen vazhdimësisë së biznesit islamik terrorist që nga Al Kaeda dhe prirjes së mafies shqiptare për të hyrë në aleanca strategjike. Pikërisht për shkak se këto marrëdhënie nuk kanë aspak lidhje me afërsitë ideologjike, por thjesht janë në lidhje me rrjetet personale të kontakteve, autorët në fund të librit të tyre rekomandojnë që fokusi të zhvendoset tek zona e problemit. Në vend që të shohin ‘financimin e terrorizmit’, hetuesit duhet të kuptojnë se është më shumë se ‘financim i terrorizmit’, që nënkupton modele të vlefshme universale të veprimit. Në këtë mënyrë ata do kuptojnë edhe kontekstin lokal dhe mund ta luftojnë problemin aty ku duhet.