Një konkurs i rëndësishëm për zgjedhjen e drejtuesve të Operatorit Rajonal Shëndetësor në Vlorë po degradon jo thjesht në përzgjedhjen e emrai të paracaktuar, por edhe të denoncuar si i përfshirë në korrupsion nga vetë kryeministri Edi Rama.
Perin Vogli, i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Lushnje, i denoncuar nga qytetarët në vitin 2017 në adresë të shefit të qeverisë, është paracaktuar për të qenë drejtori i Operatorit Rajonal Shëndetësor të Vlorës, një prej 4 strukturava të tilla në të gjithë Shqipërinë.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë, institucion që po zhvillon konkursin, deklarojnë se Vogli pritet të marrë emërimin definitiv, pavarësisht faktit se ende nuk është kryer konkursi.
Të njëjtat burime deklarojnë se lobimi për Perin Voglin po kryet nga zv.kryeministri i sapozgjedhur, deputeti Erion Braçe, i cili është përgjegjës politik i Partisë Socialiste për territorin Lushnje-Divjakë, zonë ku ka ushtruar funksionet e mëparshme kandidati i “përzgjedhur”.
Emri i Perin Voglit rezulton në një listë problematike të publikuar nga Edi Rama, menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2017. Në atë listë, kryeministri ka renditur emrat e drejtuesve të institucioneve publike, të cilët konsiderohen prej tij si “ushtrues të praktikave negative” gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Në këtë listë, emri i Perin Voglit është i 25-ti, sipas fotos më poshtë.
E, megjithatë, ky individ duket se është paracaktuar për të drejtuar Operatorin Rajonal Shëndetësor Vlorë, strukturë që do të menaxhojë të gjithë njësitë e shërbimit shëndetësor, përfshirë edhe spitalet, në zonën që nis nga Lushja e deri në Sarandë.
Këshilli i Ministrave vendosi në Korrik 2018 riorganizimin e institucioneve të shërbimit shëndetësor. Me anën e këtij vendimi, do të shkrihen drejtoritë e shëndetit publik në rrethe dhe do të zëvendësohen nga 4 Operatorë Rajonalë, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë.
Konkursi për drejtuesit e këtyre Operatorëve zhvillohet në dy faza-në testim me shkrim dhe intervistë të strukturuar. Ka pasur disa aplikime për të qenë pjesë e kandidaturave për postin e drejtorit. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Ministria e Shëndetësisë konstatoi se, për Operatorin Rajonal të Vlorës, plotësojnë kriteret kandidatët Eltar Deda, Kujtim Llapi, Kreshnik Ternova, Klajdi Myzaferaj dhe Perin Vogli.