Nëse mbetesh invalid në fëmijëri, ligji shqiptar nuk “të njeh”

E mërkurë, 06 February 2019 08:55

Arven Ymetllari ka humbur këmbën gjatë një aksidenti në moshën 7 vjeçare.

Sipas mjekut ai klinikisht është invalid, por ligjërisht nuk trajtohet dot me Kemp pasi ka një vakum ligjor.

Fiks Fare trajtoi rastin e qytetarit Arven Ymetllari nga Pogradeci, i cili në moshën 7 vjeçare, në vitin 1979, pas një aksidenti të rëndë me makinë humbi njërën këmbë. Asokohe nuk trajtohej me Kemp apo ndihmë ekonomike, pasi ligji nuk e parashikonte.

 

Pas disa vitesh ai vendosi protezë, por asnjëherë nuk mori Kemp invaliditeti dhe nuk u kategorizua në asnjë grup. Në vitin 2008, ai u mundua të aplikonte për Kemp dhe grup, por nuk ju miratua as nga Kempi i Pogradecit dhe as nga Kempi Epror.

Në kushtet aktuale, i pa punë dhe me një familje për të mbajtur ai u ankua pranë Fiksit, pasi sipas tij shtëpia nuk mbahet me 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Ai thotë që këmba i jep shumë dhimbje dhe është i paaftë për punë. Gjithashtu pretendon se mjeku duhet ta riekzaminoj edhe njëherë, pasi herën e parë sipas tij nuk është bërë asnjë ekzaminim fizik.

Bashkë me gazetarët e Fiksit, Arveni u paraqit pranë mjekut ortoped në Poliklinikën e Pogradecit. Pasi bëri kontrollin mjekësor dhe pa edhe dokumentacionin mjeku theksoi se Arvenit, klinikisht i takon Kempi, pasi ai është invalid. Por nga ana ligjore nuk i takon pasi Arveni aksidentin e ka kryer në moshë të mitur dhe ligji këto raste nuk i parashikon. Sipas mjekut janë shumë pacientë si puna e Arvenit që nuk pajisen me Kemp apo grup, sepse në momentin që u ka ndodhur aksidenti, nuk ka qenë në marrëdhënie pune. Këtë grup invalidësh, nuk e ka parashikuar ligji për t’u trajtuar me Kemp.

Megjithatë pas vizitës që bëri duke parë që edhe prerja e këmbës është shumë lart, mjeku sugjeroi që Arvenin ta ekzaminojë edhe një grup mjekësor i specializuar në Tiranë. Pra të bëhet një vlerësim i dytë për të parë nëse mund të kategorizohet tek Grupi i dytë i Invaliditetit. Por për këtë duhet të marrë vendim vetëm Kempi Epror, pasi vetëm ai mund të hedh poshtë vendimet që ka marrë po vetë, mjeku ka të drejtë vetëm të rekomandojë.

Duke qenë klinikisht invalid, por ligjërisht pa një grup invaliditeti Arveni e ka thuajse të pamundur të gjej punë, pasi nuk ka një kartë invaliditeti. Të interesuarit sapo mësojnë që ai nuk ka njërën këmbe nuk e marrin në punë. Bashkë me të, gazetarët e Fiksit ju drejtuan zyrave të punës në Pogradec. Pasi u regjistrua, përgjegjësi i zyrës deklaroi për Fiksin që do të mundohej t’i gjente një punë sa më shpejt.

Punë që i përshtatet edhe kushteve fizike në të cilat është qytetari. Për momentin ai deklaroi se nuk kishin një punë të përshtatshme, por do të mundohej me patjetër që ta rregullonte sa më shpejt.

Login to post comments