Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e legjendës të futbollit, Ali Mema. Mes rreshtave të mesazhit, Kreu i Shtetit, thotë se Mema ishte një nga figurat më të spikatura të trajningut dhe nga ana tjetër, vlerëson kontributin që la Mema në arenën ndërkombëtare.
”Ali Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-’70 dhe një prej figurave më të spikatura të trajningut, i cili ka lënë pas kontribute të jashtëzakonshme, të njohura e të vlerësuara edhe në arenën ndërkombëtare”,-shkruan në mesazhin e tij, Meta.
Presidenti thotë se emri i tij, i gdhendur me meritë me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar, ”do të kujtohet gjithmonë, jo vetëm për autoritetin e padiskutuar në fushën e blertë, por edhe për vlerat e shkëlqyera njerëzore që rrezatonte, si frymëzim për brezat e rinj të çdo kohe”.
Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Ndarja nga jeta e legjendës bardheblu Ali Mema, ish-mesfushorit virtuoz të ekipit të Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, është një humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirësit, futbollin shqiptar dhe të gjithë ne.
Ali Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-’70 dhe një prej figurave më të spikatura të trajningut, i cili ka lënë pas kontribute të jashtëzakonshme, të njohura e të vlerësuara edhe në arenën ndërkombëtare.
Emri i tij, i gdhendur me meritë me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar do të kujtohet gjithmonë, jo vetëm për autoritetin e padiskutuar në fushën e blertë, por edhe për vlerat e shkëlqyera njerëzore që rrezatonte, si frymëzim për brezat e rinj të çdo kohe. Në këto momente hidhërimi, i shpreh përzemërsisht ngushëllimet më të sinqerta familjes Mema, të afërmve, miqve e tifozëve të panumërt të Ali Memës!