Reagimi i biznesmenit: E padrejtë të çnderohem nga ministri i komanduar

Hënë, 01 Prill 2019 18:59

Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj në një deklaratë të bërë për mediat paraditen e sotme ka njoftuar se 38 konsuj nderi lëvizin me makina me targa diplomatike, duke përfituar kështu privilegje të pajustifikuara (lexo këtu)

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar edhe Përparim Kalo, njëri prej konsujve të nderit, duke e konsideruar këtë si një shaka të 1 Prillit nga ana e Cakajt.

Reagimi i plotë:

“Ju faleminderit për notën verbale e cila përcjell shqetësimin e ministrit të komanduar për saktësimin e rregullave protokollare në fushën e targave CD të automjeteve të Konsujve të Nderit.

Ndërkohë desha t’i përcillni ministrit të komanduar këtë mesazh:

Deklarimi se Konsujt e Nderit paskan bërë “shkelje të habitshme duke u pajisur me targa CD”, është në fakt një deklarim i habitshëm, pasi në asnjë vend të botës shteti nuk mund të konsiderojë shkelje, aq më tepër të habitshme, një veprim apo veprimtari të autorizuar prej vetë shtetit, ose organit të tij përfaqësues.

Ndërkohë personalisht konfirmoj se nuk do ta përdor targën CD, por nga ana tjetër kërkoj që ministri të deklarojë publikisht se Përparim Kalo nuk ka bërë shkelje të habitshme, për të kompesuar sadopak dëmin që ka shkaktuar lajmi, i përcjellë me aq bujë në media.

Jam i nderuar nga Mbretëresha Margreth II e Danimarkës dhe është e padrejtë të çnderohem nga ministër i komanduar i shtetit tim. Përfitoj nga ky komunikim për t’ju përcjellë nderimet e rastit.”, shkruan Kalo në përgjigjen e emailit që i ka kthyer Ministrisë së Jashtme.

Login to post comments