I shpërthen granata në dorë, plagoset 16-vjeçari në Pogradec

Hënë, 01 Prill 2019 20:59

Një 16-vjeçar me iniciale E.Ç është dëmtuar me granatë në Pogradec. Sipas të dhënave të para mësohet se i riu po luante pranë ish-Repartit Ushtarak dhe për pasojë mbeti i plagosur pasi lënda plasëse i shpërtheu në dorë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Leshnicë, ndërsa menjëherë i riu është transportuar në spitalin e Pogradecit ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të saj. Nuk ka ende detaje se si mund të këtë pasur kontakt 16-vjeçari me granatën, e cila i shpërtheu në dorë duke e gjymtuar.

Njoftimi i plotë:

Më datë 01.04.2019, jemi njoftuar se në fshatin Leshnicë, shtetasi E.Ç, rreth 16 vjeç, duke luajtur në afërsi të ish-Repartit Ushtarak, aksidentalisht i ka shpërthyer një granatë dhe për pasojë ka pësuar gjymtim të dorës.Shtetasi E.Ç, u dërgua në Spitalin e Pogradecit ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Login to post comments