Ish-Kryeministri Sali Berisha ishte në Itali ditën e dielë, ku në një ceremoni të veçantë u nderua me çmimin ndërkombëtar të akademisë Bonifaciana “Bonifacio VIII”.
Ky ishte sezoni i 17-të i çmimit në fjalë, ndërsa ish kryeministri Berisha u prit ngrohtësisht nga krerët e akademisë dhe kryebashkiaku i qytetit Anagni, Daniele Natalia si dhe nga komuniteti shqiptar që jeton dhe punon aty.
Gjatë fjalës së tij, Berisha foli për marrëdhëniet mes dy vendeve, shqiptarët që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Itali, të cilët sipas tij janë një histori suksesi.
Sot kam takuar shumë shqiptarë, të cilët kanë jetuar këtu jetën e tyre. Kam takuar sipërmarrës të suksesshëm shqiptarë, që sot në Itali janë me mijëra. Për më tepër që kemi edhe mbi 20 mijë studentë shqiptarë në universitetet italiane. Dhe në të vërtetë janë studentë të suksesshëm. Sot kemi dhe studentë italianë që studiojnë në Itali”, është shprehur ish kryeministri Berisha.
Ndërsa kryebashkiaku Natalia, gjatë fjalës së tij, u shpreh se, kjo isht një ditë e veçantë për qytetin që ai drejton dhe ku jetojnë dhe punojnë një komunitet i suksesshëm shqiptar.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për Anagnin. Tashmë çmimi Bonifacio është i një karakteri ndërkombëtar. Sot kishim nderin të prisnim presidentin Berisha. Që u vlerësua me çmimin “Bonifacio VIII” dhe patëm një pritje edhe të ngrohtë nga komuniteti shqiptar këtu, që është integruar në mënyrë perfekte. Siç e tha edhe Berisha, kur kemi bashkëpunim reciprok, gjëra të bukura bëhen”, tha Natalia për televizionin lokal që ndoqi të gjithë eventin në fjalë.
Qyteti Anagni ndodhet në qendër të Italisë dhe është qyteti që ka lindur plot 5 Papa, mes të cilëve edhe i famshmi Papa Bonifacio VIII. Ai ka një popullsi prej rreth 21 mijë banorësh, ku rreth 2100 janë shqiptarë.
Çmimi në fjalë, ndër vite u është akorduar personaliteteve të shquara italiane dhe të huaja të politikës, shkencës, biznesit, kishës etj.
Që nga themelimi i Akademisë e në vazhdim çmimin i saj e kanë marrë kryeministra, kryetare parlamentësh e ministra. Ndër ta mund të përmendim Papa Gjon Pali II, Benedikti XVI, Antonio Tajani, Julia Timoschenko, Giulio Andreotti, Carlo Azeglio Ciampi, Oscar Luigi Scalfaro, Anthony Troy Carter, Rita Levi Montalcini, Presidenti i Parlamentit Europian Jerzy Karol Buzek etj.