Prizreni i bukurive antike dhe i sharmit mesdhetar!

Tuesday, 11 June 2019 11:34

Gani Mehmetaj

Labët me grupin polifonik e kishin pushtuar Kështjellën ilire të Prizrenit. Zëri i këngëtarëve shpërndahej në errësirë, i përkëdhelte muret e vjetra, vërshonte qetas hyrjen kryesore, mbase jehona e këngës pikëllimtare shpërndahej nëpër rrugët e gurta të qytetit të vjetër. Zëri i parë i labit me qeleshe, herë ngrihej sikur lëshonte kushtrimin, herë ishte lirik, ndërsa pastaj ndiqej nga zëra të tjerë që e plotësonin, e forconin, bënin që të të kthenin shekuj prapa, atëherë kur kënga këndohej me afshe e emocione.

Atmosfera në brendësinë e kështjellës, ishte e pazakonshme, qetësuese, si në përralla. Koha qe ndalur. Dritat e mbrëmjes e skenografia, të rregulluara me shije, të ofronin intimitet e mistikë, me muret e vjetra, me rrënojat e pallateve e themelet e restauruara. Pjesa më e madhe e kureshtarëve atë mbrëmje ishin të rinj, dardanë e të huaj. Stina e verës është e këndshme në qytetin e Prizrenit. Vetëm Kështjella e Dardanisë në Nish (me dyer madhështore të restauruara), që e rindërtoi Konstantini i Madh, i bën konkurrencë me hapësirën e përshtatur për manifestime kulturore e ngjarje të shënuara. Por për visoret përtej kështjellës nuk ia kalon mbase asnjë kështjellë e Ilirisë. 
Pamja e qytetit nga kështjella është më mbresëlënëse, të ofron kënaqësi të veçantë mbrëmjeve me ndriçim, të shpalosë gërmimet arkeologjike që nxorën në sipërfaqe kulturën materiale e shpirtërore të ilirëve, të ringjallë botën antike ilire, lugina shkëlqen me lumin e dritave. Kështjella ishte vetëm pjesë e qytetit të vjetër, me vazhdimësi qytetërimi. Në bërthamën e qytetit të vjetër janë zbuluar termo- objekte të ngrohjes qendrore, pagëzimore, vendbanime antike etj. Jeta e mirëfilltë është zhvilluar në qytet. Është përshtypje e përgjithshme se ngado që të gërmosh do të dalin objekte të vjetra, faltore, objekte kulti e stoli. 
Rruga nga Fontana (Shatërvani) te portat kryesore është më e rrëpinjtë se sa në Gjirokastër, Berat apo Artanë. Shatërvani është pika ku takohen të rinjtë, ishte vendi ku dikur këngëtarët e aktorët ilirë bënin shfaqje para të pranishmëve, të mençurit (filozofët) bënin debate në freskun e natës, apo pasditeve, ushtarakët e sundimtarët mblidhnin ushtarë pasi e lëshonin kushtrimin nga maja e kështjellës. Lumbardhi i jep sharmë të veçantë, e bën qytetin më të bukur në shtetin e ri të Dardanisë. Urat me harqe të duken si të vinin drejt nga antika, elegante e të rënda njëkohësisht. Muret e gurta që e frenojnë ujin e rrëmbyer vjeshtës e pranverës i japin pamjen e qytetit piktoresk.
Kush nuk ka dëgjuar për Marashin? Sa këngë u janë kënduar dashurive të fshehta e vendtakimeve të të rinjve në fundjavët e famshme, kur dilej me një zymbyl me ushqime e me një beze të bardhë shtroje në bar. Kush nuk ka dëgjuar për Zambakun e Prizrenit e për këngët e vjetra qytetare shqiptare? Po për Rrapin më të vjetër në vend? Natyra është një perlë që i rrethon vendbanimet.
Qyteti i Lumbardhit është larg nga deti, por e ka klimën mesdhetare, sharmin e qyteteve të Mesdheut dhe kulturën e butësinë karakteristike të kësaj hapësire gjeografike. Kush nuk i ka shijuar ujin e ftohtë të krojeve të qytetit. Po rrjedha e ujit që bie nga shkëmbi? Kur shkel rrugëve të shtruara me gurë lumi se si e ndiejnë veten, të kujton diçka që s'e gjen më askund tjetër. 
Prizreni është kryeqyteti historik i shqiptarëve, qyteti i dhjetëra aktorëve të famshëm, që i dhanë filmit e teatrit vepra me vlerë. Prizreni është qyteti i Bekim Fehmiut, me mallin e të cilit ai vdiq, por e la me fjalë që hiri i trupit të tij të hidhej në Lumbardh me një ritual të veçantë, që u bë. Rufaitë, helvetitë e dhjetëra sekte të tjera mistike iraniane e të Lindjes së Mesme, erdhën me pushtuesin otoman, u ngulitën dhe krijuan çerdhet e tyre. Çelën faltoret-teqetë, ku e bënin ritualin e shpimit me thika e me shpata në natën e veçantë që zgjat deri në mëngjes. Bërthama e vendbanimit, qyteti i moçëm, ka faltore të vjetra e të reja, aty ku dikur ndërtuan ilirët, aty ku e rindërtoi pastaj qytetin Justiniani dardan. Faltoret më të reja janë ndërtuar mbi faltoret e vjetra. Në qytet stili evropian lufton për jetë a vdekje me orientin frymëzënës. Faltoret përpiqen ta dëshmojnë praninë e tyre natën e ditën. Kishat bizantine, uzurpuesit, klerikët serbë i kanë futur në rrethoja e barrikada, ua kanë marrë shqiptarëve, sikur duan të izolohen jo vetëm nga vendësit. Kisha katolike ishte seli ipeshkvore që nga antika. Pastaj erdhën minaret e xhamive, hamamet e teqetë. Në kohë të caktuara secila prej tyre thërret besimtarët në meshë a në falje. Xhamitë janë më të zhurmshme dhe më të shumta. Secila minare bën garë me tjetrën, ndërsa njëqind altoparlantë nga minaret mikun tim nga Tirana, që erdhi për herë të parë në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e tronditën në pesë të mëngjesit. Mori t'i ankohej të parit të myslimanëve për këtë shqetësim gjumi, por e qetësuan. Kot që i thua! Nuk je i pari vizitor që ankohesh në zhurmën e altipartlantëve! "Pse duhet ta zgjojnë tërë qytetin në pesë të mëngjesit? Ky është terror", më ankohej mua, thuajse mund të ndërhyja te zyrtarët përkatës. Zhurmat e altoparlantëve nuk të lënë të dëgjosh as zërin e filmave në kinematë verore. Nga fjalët e mikut një natë vere, kureshtja më cyti të futesha brenda rrethojave të një xhamie, ku shiteshin rrobat, zbukurime të grave, burrave e mallra të lira si në Çarshinë e Stambollit. Xhamia ishte një pazar i vogël brenda Prizrenit. Një pjesë e qytetit përpiqet ta imitojë Stambollin e vjetër, nuk shkëputet dot nga mesjeta anadollake.

Prizreni ka vazhdimësi nga parahistoria. Kështjella e vjetër, e vendosur mbi një kodër, që e mbizotëron qytetin, nga të dhënat arkeologjike e hulumtimet e rastit dëshmon se qyteti ishte i banuar tri mijë vjet më parë. Prokopi i Cezarës në shekullin V pas Krishtit e përmend me emrin Peterzen. Arkeologë e kronika të moçme e lidhin me qytetin antik Theranda. Në mesin e kështjellave të rimëkëmbura nga perandori Justinian përmendet me emrin Kështjella e Petrizenit, që e zëvendësoi emërtimin e mëparshëm Theranda. ndërkaq, në burimet bizantine është quajtur Prisdriana.
Prizreni ishte qendër e rëndësishme tregtie e prodhimi, seli e Ipeshkvisë katolike dardane-arbërore, seli princore, nyjë që lidhte rrugën antike Nish- Shkup- Lezhë. Kur u ndanë dy perandoritë, Prizreni i takoi Kostandinopojës, pastaj u qeveris nga sundimtarë arbërorë, e më vonë u pushtua nga turqit e serbët.

Nesër: 
Marin Bici, Gjergj Bardhi e Pjetër Mazreku: pushtuesit osmanë vrisnin arbërorë katolikë, ua digjnin shtëpitë e kishat

Nga libri: Qytetet e Ilirisë

 
 
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...