Policia njofton se ka arrestuar dy inspektorë të Bashkisë së Shkodrës. Gazetari Senaq Nikshiqi raporton për “Balkanweb” se në pranga kanë përfunduar inspektorët Idlir Dibra dhe Gege Nika. Ata dyshohet se kanë favorizuar biznese për mospagim taksash në zonën e Velipojës.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Akomoduesi 2″
Arrestohen dy Inspektorë të Zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim dokumentash”.
Procedohet në gjëndje të lirë Drejtori i kësaj Drejtorie për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”.
Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi 2” , janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave. Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve: G. N. 52 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re Shkodër, ekonomist, inspektor; I. D.49 vjeç, banues në Shkodër, ekonomist, inspektor, për veprat penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë Drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër shtetasin, B. Gj. 41 vjeç, për veprën penale të “Shperdorim detyre”.
Keta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, duke qënë në pozicionin e inspektorëve të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumentave kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë favorizuar në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në Plazhin e Velipojës, duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli, me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.
Në vijim të veprimeve u procedua pronari i hotelit shtetasi K. L. 27 vjeç, banues në Velipojë Shkodër, për veprën penale “Fshehje e të Ardhurave”. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.