Dy shtetas të huaj, të cilët nëpërmjet mashtrimit merrni makina prodhim i fundit me qera në vendet e BE-së dhe i shisnin më pas në Shqipëri, janë vënë në pranga nga autoritet shqiptare.
Aksioni “Prodhimi i fundit”, u krye nga ana e Policisë së Shkodrës dhe Interpol Tirana. Në pranga u vunë, M. A.,25 vjeç, lindur në Afganistan dhe banues në Angli dhe L. M., 28 vjeç, lindur në Kongo dhe banues në Angli.
Hetimet
Sipas policisë, këta shtetas, me anë të mashtrimit merrnin me qera makina luksoze prodhim i fundit në kompani të ndryshme në Angli-Belgjikë dhe Gjermani, dhe pasi hynin me dokumentacion të rregullt nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, mjetet i shisnin në Shqipëri.
Të njëjtat burime shtuan se u dokumentuan me prova ligjore dy prej shumë rasteve që dyshohet se këta shtetas kanë kryer këtë veprimtari kriminale, konkretisht për një automjet “AUDI” dhe një automjet “Benz” prodhim i 2019-tës.
Më datë 18.07.2019, nëpërmjet P.K.K. Hani i Hotit, shtetasi M.A., ka hyrë dhe trafikuar automjetin, tip Audi, të marrë në Gjermani, të cilin e ka shitur në Shqipëri.
Po më datë 24.07.2019, janë paraqitur për të hyrë në territorin shqiptar shtetasit M.A., drejtues mjeti dhe L.M. pasagjer në automjetin tip Mercedez-Benz, vit prodhimi i 2019-tës, i cili është bllokuar në cilësinë e provës materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të kryer nga këta dy shtetas, thuhet në njoftimin e policisë lidhur me rastin, ndërsa shtohet se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorrike” dhe “Mashtrimi”.