Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, Interpol Brukselin dhe Interpol Bern Zvicër, vë në pranga dy persona në kërkim ndërkombëtar.
Njeri prej tyre, është shtetasi belg K. Q, 26 vjeç, lindur në Hoy, Belgjikë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli, Belgjikë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Antwerp, Belgjikë me datë 28.05.2019 ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal”, “Trafikim i narkotikëve dhe perkusorëve” parashikuar nga nenet e Kodit Penal belg.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin/Belgjikë, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Belgjikës.
Po nga Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë u arrestua shtetasi kosovar H. B, 28 vjeç, lindur në Dubrav, Kosovë.
Shtetasi H B, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, pasi Autoritetet gjyqësore të kantonit të Gjenevës, Zvicër me datë 08.07.2019 kanë lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja”, “Dëmtim prone” dhe “Dhunim banese.
Në harkun kohor 21 Dhjetor 2018 dhe 13 Mars 2019, në kantonin e Gjenevës, H.B, dyshohet se ka kryer 21 vjedhje, duke hapur me forcë dyert, dritaret e banesave, ka hyrë në shtëpitë dhe apartamentet private dhe ka vjedhur objekte dhe shuma të ndryshme parash.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bern/Zvicër, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri, me qëllim ekstradimi drejt Zvicrës.