“Ku ta gjej drejtësinë te ky shtet i ndyrë!”, flet babai i djalit që e vranë me plumb në kokë

Saturday, 24 August 2019 20:44

Babai i Indrit Çelajt, teknikut të kondicionerëve që u vra me plumb në kokë në Tiranë, thotë se ngjarjen e ka marrë vesh 8 orë pasi ajo kishte ndodhur.

Ai tregon se e ka mësuar nga mediat atë që ka ndodhur. Për të, kjo është fatkeqësia më e madhe, që djali të niset për të punuar dhe të kthehet i vdekur. Megjithëse përmend disa herë drejtësinë, ai thotë se nuk ka çfarë i duhet më as ajo, meqenëse djalin nuk e ka më. Baftjar Çelaj shprehet se nëse do të kishte fuqi, nuk e di se çfarë mund të bënte kur ka shkuar në spital. Ai tregon edhe bisedën me mjekët, ndërsa thotë se djalit i kishin marrë edhe dokumentet

Keni shkuar në spital pasi morët vesh se djali juaj ishte qëlluar me armë?

Kur vajta në spital e mbajta veten, se sikur të kisha fuqi nuk di se çfarë mund të kisha bërë. Po tani kujt t’ia kërkoj drejtësinë? Të vesh te gjykatësi, do lekë, te polici hajdut, kriminel, do lekë. Shko te politikanët, më keq, se i kam provuar. Kush e zgjidh këtë? Të tërë këta janë të ndyrë. I kam vajtur në zyrë Skënder Gjinushit kur ka qenë kryetar Kuvendi, Kastriot Islamit, që ka qenë deputet këtu në zonë. Vijnë kërkojnë vota këtu dhe pastaj asgjë. Tani hajde ta zgjidhin. Po edhe sikur të bëhet drejtësi, ç’e dua kur djali më iku? Më kanë lënë dhe pa drita, pa punë. Më hoqën edhe gruan nga puna këta. Tani djali më ikën. Mori rrugët e Shqipërisë, pa garanci, pa gjë. Ja më iku djali mua tani. Nuk ishte djalë dosido. Djali 25 vjeç, dy metër dhe i edukuar. Këtu është fashizëm. Këtu është kush të zhvatë më shumë. Janë fashistë ata që e kanë drejtuar këtë vend në këto 30 vitet e fundit. Kriminelë ndaj popullit dhe ndaj gjithë këtij vendi. Kjo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë as hasmit. Kjo është fatkeqësia më e madhe, të nisesh për punë dhe të kthehesh i vdekur.

Si e mësuat ngjarjen?

E kam marrë vesh nga gazetat. Djali më është vrarë në orën 11:00 paradite, unë e kam marrë vesh në orën 19:00 të darkës. Se djalit ia kishin marrë edhe dokumentet. I ka marrë kush i ka marrë, po ai mjeku atje më tha që djalin e kishte çuar aty Policia dhe se mjekët kishin bërë punën e tyre.

Djali ka qenë në punë në Tiranë?

Po, në punë ka qenë. Rregullonte kondicionerët. Ka mbaruar Elektriken dhe montonte kondicionerët.

Ka pasur ndonjëherë konflikte me njeri?

Asnjë konflikt nuk ka pasur, me askënd. Djali ka qenë me kulturë dhe i sjellshëm, që nuk gjen djalë si ai. Jo se është djali im, por rrallë gjen një djal si djali im. Jo këtu, por mund të them edhe në Shqipëri. Djalë me edukatë, nuk dinte të ofendonte, as mes shokësh, por as njërin, as tjetrin.

Ishte i fejuar djali juaj?

Po, ishte i fejuar. Kishte 6-7 vjet me nusen. Iku tani. Çfarë të them unë. Ky është shteti ynë. Një ngjarje e tillë është fatkeqësi për këdo. Nuk po them vetëm për mua, se për mua është shumë e rëndë. Ku do të punojnë këta djemtë e rinj, me çfarë do të merren? Këtu nuk ka asnjë lloj garancie. Ti vete në punë, ai të merr jetën.

Keni besim se do të vendoset drejtësi për vrasjen e djalit tuaj?

Këtu te ne?! Sa të jenë këta politikanë të ndyrë, të fëlliqur (shkruaje kështu siç po ta them unë), po nuk u dënuan çfarë kanë qenë politikanë këto 30 vite këtu, Shqipëria nuk do të bëhet. Ose ta marrë rinia në dorë dhe ta bëjë ketë vend, ose nuk bëhet. Këta nuk e kanë vendin në burg, se atje prapë ne i ushqejmë. Nuk më intereson mua kush e bëri krimin atje, kush e vrau djalin tim. Mua do më interesonte po të jetonte djali. Tani që djali im nuk është, çfarë të më interesojë mua, ta ushqej unë në burg atë që ma vrau?

Kur ishte hera e fundit që keni folur me djalin?

Pak kohë ka. Ishte gruaja atje. Për të folur flisja ditë përditë në telefon. Por që e kam takuar, një javë ka. Erdhi këtu bashkë me nusen, para një jave.

Ku ka punuar më përpara djali juaj?

Nuk e di se ku me saktësi, por në Tiranë punonte, me kondicionerët, në pallate të ndryshme. Unë jetën e kam bërë vetë, e kam ndërtuar vetë. I kam rritur fëmijët me gjak. Dhe tani e bëj djalin 25 vjeç dhe më ikën djali kështu? Ku është shteti? Ku ta kërkoj drejtësinë.

PANORAMA

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...