Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sonte në terren dhe ndoqi nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit që po kryhen në njërin prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti në lagjen nr. 6 në Durrës.
Kreu i Shtetit shoqërohej nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferri, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, z.Bujar Osmani, Kryetari i BDI-së, z.Ali Ahmeti si edhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Më pas, Presidenti Meta u takua edhe me forcat e specializuara të emergjencave civile, të ardhura nga Maqedonia e Veriut, për të kontribuuar në tejkalimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore, të cilat janë të stacionuara në gjimnazin “Naim Frashëri”.
Gjatë takimit me ta, Presidenti u shpreh:
“Jam këtu për t’iu falënderuar të gjithëve për punën plot përkushtim që keni bërë këto dy ditë, për të cilën keni vlerësimet më të larta. Kam dëgjuar fjalët më të mira nga autoritetet e Durrësit dhe ato shqiptare që kanë ndjekur nga afër gjithë këtë situatë kaq dramatike të emergjencës.
Faleminderit shumë për sakrificat që keni bërë, që keni rrezikuar në operacionet e shpëtim-kërkimit, kontributin tuaj nuk do ta harrojmë kurrë!
Ky është një moment i rëndësishëm i demostrimit të solidaritetit midis dy vendeve tona, dhe një tregues i bashkëpunimit në fushën e emergjencave civile.
Kualifikimi dhe eksperienca juaj kanë qenë mjaft të qarta, dhe dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për këto dy ditë e dy netë që ju i keni kaluar këtu në kushtet më të vështira, nuk do ta harrojmë kurrë këtë ndihmë dhe solidaritet kaq vëllazëror.
Dua të falënderoj përzemërsisht Presidentin Pendarovski, Kryeministrin Zaev dhe të gjithë përfaqësuesit e politikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë qenë pranë nesh që në fillim dhe vazhdojnë të jenë pranë nesh në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe dhe të këtyre pasojave kaq të rënda, sikurse ju i keni parë dhe i dini më mirë se çdo njeri tjetër.”
Ndërsa kryetari i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se: “Unë doja t’ju përshëndes të gjithë juve këtu, shpëtimtarëve! Jam këtu me Kryetarin e Parlamentit, me zëvendëskryeministrin, me deputetë, për t’ju inkurajuar për misionin tuaj fisnik. Shpresojmë që tragjedi të tilla të mos ketë më, por këto janë zhvillime të paparashikueshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur.
Mua më është bërë zemra mal kur kam dëgjuar në mediat shqiptare për punën dhe sakrificën tuaj, vërtet kam qenë krenar kur mora lajmin që keni shpëtuar jetë njerëzish, dhe iu uroj të gjithëve shërim sa më të shpejt dhe Zoti iu ndihmoftë në misionin tuaj!”