Nga Red Varaku
Falë Zotit nuk pati viktima, por fatkeqësisht sipas ekspertëve minimalisht gati 90% e pallateve dhe një numër i madh shtëpish janë vlerësuar si të pabanueshme, pa llogaritur dëme të tjera materiale.
Me qindra familje kanë mbetur në mes të katër rrugëve, të braktisur në mëshirë të fatit, pa asnjë ndihmë dhe përkrahje.
Me qindra qytetarë prej ditësh po i kalojn? netët jashtë dhe po vuajnë një situatë të rëndë humanitare.
Banorët nuk kanë asnjë qartësi nëse mund të përdorin banesat të cilat duken të dëmtuara rëndë.
Ata kanë mbetur rrugëve, por çuditërisht askush nuk flet dhe nuk ngre zërin për këtë.
Kjo e vërtetë është fshirë edhe nga harta e raportimeve qeveritare dhe hapësirave televizive.
Madje edhe gjatë një vizite të beftë të kryeministrit në qytet askush nuk foli për këtë katastrofë.
Por, ajo që është më e rëndë është përpjekja e autoriteteve lokale për ta fshehur këtë të vërtetë.
Çuditërisht autoritetet deklarojnë, që gjithçka është nën kontroll, por në të vërtetë situata në terren është totalisht jashtë kontrollit.
Banorët ankohen për indiferencë totale të shtetit si dhe për abuzime të jashtëzakonshme me ndihmat.
Duhet një reagim i menjëhershëm për ti ardhur në ndihmë këtyre familjeve që perveç traumës se shkatërrimit të gjithçka që kishin, janë dhe pa asnjë ndihmë e përkrahje.