Nesër, ora 11, në Gjykatën e Durrësit, zhvillohet gjyqi për masën e arrestit ndaj qytetares Xhulia Aliaj, që akuzohet për “përhapje paniku”.
Për këtë arsye, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bën thirrje, që paqësisht, qytetarët të mblidhen para kësaj gjykate për të kërkuar lirimin e vajzës, e cila po qëndron në paraburgim.
“Faji” i Xhulia Aliajt është se postoi në profilin e saj në Facebook artikullin e medias italiane "Avvenire" ku flitej për dyshime se mund të jetë dëmtuar impianti i trajtimit të ujrave të zeza.
Ndërkohë që ka dhjetra pallate e qindra shtëpi të shembura dhe nuk është arrestuar asnjë konstruktor, inxhinier zbatimi, mbikqyrës punimesh, pronar firme ndërtimi apo shef urbanistike në bashki, Prokuroria që po “rilind” përmes “vettingut”, zbaton urdhrin e diktatorit për arrestimin e një qytetareje të thjeshtë, për citimin e një lajmi, autorët e të cilit nuk janë paditur apo hetuar.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ju bën thirrje të solidarizohemi me qytetaren Xhulia Aliaj duke u mbledhur paqësisht para Gjykatës", thuhet në thirrjen e AMT-së.