Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i ditës së martë, i cili goditi rëndë Durrësin, Thumanën e Tiranën, por nuk la pa prekur dhe qytete të tjera të vendit.
Të dhëna ende paraprake flasin për të paktën afro 900 pallatet dhe mbi 5100 banesat e dëmtuara nga tërmeti.
Në Tiranë rezultojnë për momentin 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë.
Në Durrës, numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqendruar te njerëzit e mbetur nën rrënoja.
Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dhe 620 banesa të prekura rëndë.
Grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të godinave, ndërsa godinat që janë gati duke rënë, kanë nisur të shemben nga autoritetet, siç ishte rasti i një hoteli sot në Durrës.
Deri më tani rezultojnë të jenë afër 9 mijë qytetarët e prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre.
Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nga autoritetet në disa lokalitete ndërsa mbi 800 kanë zgjedhur qendrat sociale.