Mëngjesin e 26 nëntorit Shqipëria u trondit nga një tërmet i pabesë, i cili mori pa mëshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Nga fatkeqësia natyrore që përfshiu vendin humbën jetën 51 qytetarë.
Këtë tragjedi më së shumti e përjetuan familjet në qytetin e Durrësit, ku pati epiqendrën tërmeti i fuqishëm 6.4 i shkallës Rihter. Po ashtu dhe Thumana është një tjetër zonë me dëme të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale nga tërmeti i 26 nëntorit.
Stafi i emisionit me “Zemër të Hapur” ka realizuar një vëzhgim të situatës nga afër në qytetin e Durrësit, në të cilën gjen hije njerëzish, të vrarë shpirtërisht dhe psikologjikisht. Fillimisht, rrugëtimi nisi në zonën e ish-kënetës, ku u shua familja Lala.
Në vilën që u shemb gjetën vdekjen tetë persona dhe u shpëtua vetëm një 17-vjeçar. Pak më tutje, në lagjen 15, një tjetër familje e tërë u shua nën rrënojat e banesës së tyre në Durrës, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin në orët e para të mëngjesit të së martës. Ajo është familja Reçi.
Një zonjë e moshuar, mikeshë e familjes Reçi, në një prononcim për emisionin “Me Zemër të Hapur”, në Neës 24, ndalon dhe shpreh mes lotësh disa momente përjetimi me të ndjerët, bashkëmoshatarë të fëmijëve të saj.
“Kemi qenë komshinj të vjetër, kemi ndenjur 21 vjet. Kemi rritur fëmijët me një vend, i kemi lindur ajo një vit para, unë pas. Hanim bukë me njëri-tjetrin, se kishin një zemër që nuk e kishte njeri. Shqipja ishte grua që nuk duhet t’i ndodhte kjo. Këta ishin njerëz që nuk thonin njëherë “jo”. Ato fëmijë ishin shembull, me shkollë të lartë. Mjerë ata çfarë iu ka rënë. Shqipja i mbante fëmijët afër vetes, sikur e ka ditur.
Këtyre njerëzve nuk duhet t’iu ndodhte asnjëherë kjo gjë. Na ka pikuar në shpirt. Kam lajmëruar kalamajtë, kanë luajtur mendsh, kur e morën vesh. Ishte radha jonë, jo e fëmijëve”, tha ajo mes lotësh.
Në zonën përreth shikon vetëm rrënoja, njerëz të uritur dhe të pasigurt për jetën. Tashmë kanë kaluar disa ditë nga tërmeti, por nuk kanë munguar lëkundje të tjera, ndonëse me intensitet më të ulët kanë traumatizuar njerëzit, shumica e të cilëve flenë në makina.