Familjet e varfëra janë më të prekura nga tërmeti. E tillë është dhe Lumturia nga Manza. Burri ju vetvra 4 vjet më parë, pasi e plagosi edhe gruan në dehje e sipër. Tërmeti i mori dhe shtëpinë, duke i lënë katër fëmijët jetimë në mëshirë të fatit. Vogëlushët thonë për mikrofonin e ABC News, se dëshira e tyre është një shtëpi një katëshe, që tërmeti të mos e shembë.
Kjo është shtëpia e Lumturi Gjokës këtu në fshatin Manëz të Vjetër. Varfëria ka qenë gjithnjë prezentë në shtëpinë e saj, pasi burri i ka vdekur herët dhe i ka lënë katër fëmijët. Por tërmeti i fundit e ka lënë atë në qiell të hapur dhe askush nuk është kujtuar këto pesë ditë nëse ajo është ende gjallë.
Lumturia ka jetuar mes varfërisë gjithmonë, por të paktën ka pasur një strehë mbi kokë. Strehë që tani nuk i ofron më siguri.
“Katër ditë kemi ndenjur jashtë. Shkuam të kërkojmë, as çadër, as ushqim, asgjë nuk na kanë prurë, as nuk ka ardhur kush të na shikojë. Me forcat tona 20 mijë lek plastamas kemi blerë dhe e kemi vendosur jashtë. Fëmijët janë të friksuar, rrinë jashtë, të na ndihmojë për fëmijët të paktën”, shprehet Lumturia.
Fadili, vjehrri i saj 80-vjeçar, kërkon ndihmë, pasi pensioni i tij nuk del për të gjithë.
“Kjo është në rrugë të madhe. Unë nuk ka çfarë të bëj, pensionin që kemi, e ndajmë përgjysmë”, thotë ai.
“Ata që kanë vila përfitojnë, ne nuk përfitojmë”, shton më tej Lumturia.
Vogëlushët, nuk guxojnë të dëshirojnë shumë. Edhe ato dëshira, i kanë të lidhura me tërmetin.
4 vjet më parë, në dehje e sipër, bashkëshorti e plagosi me armë zjarri. Duke menduar se e kishte vrarë, ai doli pas shtëpisë dhe vrau veten. Sot, Lumturia i ka mbyllur hesapet me Zotin.
“Fatkeqësi ishte, kështu ndodhi. Kaloi, u bënë katër vjet”, thotë Lumturia.
Vogëlushët shpresojnë që dikush ti shohë, dhe të mendojë për ta!/abcnews