Kryeministri Edi Rama ka vendosur të dominojë hapësirën mediatike në vend që nga dita e parë e tragjedisë së tërmetit e deri më sot, me sulme dhe gallata.
Por teksa qëllimi është i qartë, që njerëzit të mos shohin katrahurën e krijuar, por të shohin Ramën, në vend kanë nisur disa hetime nga prokuroritë e qyteteve më të goditura.
Edhe pse katrahura ka vite që ndodh përpara syve të tyre, ata janë kujtuar vetëm pas dramës me shumë viktima.
Por hetimet rrezikojnë të përfundojnë, siç mund të parashikohet lehtësisht, në ndëshkim të ndonjë arkitekti apo inxhinieri. Në pranga mund të përfundojë edhe ndonjë biznesmen, por kurrë ata që ideuan dhe qëndrojnë në krye të këtij modeli skandaloz korruptivo-kriminal të ndërtimeve në Tiranë dhe Durrës.
Nga ana tjetër ka nisur edhe një ‘hetim’ në mesin e opinionit publik, të cilët po nxiten nga media dhe komentues pranë pushtetit, që ta vënë gishtin e fajit tek njerëzit hallexhinj, të cilët kanë ndërtuar në zona të rrezikshme në vend. Pikërisht kjo përpjekje për ta kanalizuar fajin tek populli është më kriminale, edhe pse për të nuk ka hetim ligjor, por vetëm ‘hetim’ moral nga trollsat e internetit.
Shteti që ka ndërtuar Edi Rama u shemb në një ditë bashkë më tërmetin. Ndërkohë që lëkundjet e shtatorit mund të kishin shërbyer për ndërgjegjësim dhe për të shpëtuar ndoshta jetë njerëzish. Pikërisht këtu duhet të fokusohet hetimi penal dhe popullor: Tek ata që kishin në dorë të bënin gjëra për të pakësuar efektet e këtij tërmeti, por nuk bënë asgjë.
Nëse nuk goditet maja e modelit, më kot lodhemi duke shpresuar se gjërat do bëhen mirë ndonjëherë./ Marre nga Syri.net