Quhet Medi Ceka. 70-vjeçari nga Dibra mundi t’i mbijetonte bashkë me 5 pjesëtarët e familjes, tërmetit shkatërrues që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit, e që shkaktoi 51 viktima e qindra të plagosur. Djali dhe nusja mbetëm të plagosur, por gjithsesi ja dolën. Por banesa 3 katëshe që ai kishte ndërtuar në zonën e ish –Kënetës në Durrës, ku u zhvendos prej afër dy dekada më parë nga Dibra, u dëmtua rëndë, duke vënë në rrezik jetën e familjareve.
Ish-mësuesi i fiskulturës tregon për Neës24 momentin sesi mundi të dilte i gjallë nga shtëpia.
“Isha në dhomën time, nuk më hapej dera. Kur kam dalë në sallon, gjërat binin, të suvasë. Sesi kanë dalë dy të parët nuk e di. Vetë vetëm kur jam ndodh përpara një pllake të madhe sipër krevatit.”
Ai nuk mban mend, se si mundën të dilnin nga shtëpia, djali, dy nipërit dhe mbesa, por mes lotësh kujton se nusja e djalit kishte mbetur e bllokuar poshtë një blloku betoni.
“Nën pllakë hahej me shpirtin nusja e çunit.”
I moshuari thotë se thirri për ndihmë, dhe ishin fqinjët që iu përgjigjën menjëherë.
“Pasi bërtita ndihmë se nuk e ngre dot se e ka mbulu betoni, kemi thyer dy rrjeshta tullash me tokmak dhe kazëm. Kush i theu? Komshinjtë, mos ishin ata s’do kishim dalë.”
Nëna e tre fëmijëve u nxorr pa ndjenja nga ndërtesa e shkatërruar dhe u trasportua për në spital…
“I thashë djalit bëji frymëmarrje artificiale se ishte pa ndjenja…”
Fqinji dhe miku i familjes dibrane, Ilirjan Rusi, i cili mundi të dilte nga banesa e tij shëndoshë e mirë bashkë me gruan e fëmijët tregon momentet e tmerrit, kur bashkë me fqinjët e tjerë mundën të nxirrnin nga rrënojat të renë e Medi Cekës.
“Kur kam dëgjuar fëmijët që po bërtisnin, kërkonin ndihmë kam ardhur dhe kam parë që shtëpia ishte shembur. Kam marrë tre fëmijët, të tre vetë. Kam shkuar kam marrë një varre. Me kë ardhur në ndihmë një djalë nga Bulqiza, përpara se të vinin të tjerët. Kemi shemb një faqe muri që kishte patur nusja nga sipër. Sic ishte në krevat ashtu e kishte zënë. E nxora. E mora për të vdekur. Ma kanë marrë dhe sdi kush e ka cuar në spital.”
Gjyshi i familjes, thotë se ju përgjërua të birit të largohej nga shtëpia, menjëherë sapo ndjenë lëkundjet e tërmetit të një ore më parë të po asaj nate, por ai nuk pranoi dhe të gjithë u shtrinë për të fjetur….
“Ikni, merrni makinën ikni. Makina është nën rrënoja. Më tha o babë, na ruan Zoti. Është e vërtetë që si ruhesh dot, sepse e provova unë.”
Tërmeti i 26 nëntorit është i dyti që goditi vendin brenda një kohe të shkurtër. Në shtator gjithashtu Shqipëria u trondit nga dridhjet e tokës.
Medi Ceka tregon se banesa e tij pësoi dëmtime të rënda asokohe, por nuk u largua prej andej, pasi autoritetet nuk i thanë që ndërtesa përbënte rrezik.
“Të gjithë muret patën ra, e kanë parë të gjithë. U cova dhe fotot. Shkoi djali, por na thanë prit radhën. Këtu nuk erdhi asnjë.
70-vjecari shpjegon se edhe vila e familjes Lala, që humbi tetë pjesëtarë nën rrënoja, u dëmtua rëndë nga lëkundjet sizmike që u regjistruan në shtator….
“Kështu ka qenë e dëmtuar dhe e këtyre. E kujt? E Lalajve.”
E kur vjen fjala te familja e goditur rëndë nga tragjedia i moshuari nuk i mban dot lotët….I kishte fqinj, vetëm një rrugicë i ndante…
“Kur i kujtoj tashi ato, më vjen keq, se i kam njohur fëmijët e vegjël.”
Shtëpia trekatëshe e familjes dibrane u shkatërrua tërësisht nga Inspektoriati i Ndërtimit, por Medi Ceka ka pikëpyetje të forta për mënyrën sesi vepruan institucionet. Ai thotë se asnjë zyrtar nuk i dha të firmoste as edhe një shkresë dhe as prokuroria nuk nisi hetimet, por u mjaftuan me shembjen e ndërtesës…
70-vjecari thotë se gjithë mundi e djersa e një jete u shkatërrua në pak sekonda, por kurrsesi nuk harron të falenderojë të gjithë bashkëkombasit që iu gjenden pranë në ditë të vështira…
“Kam pas ndihmë e përkrahje nga kosovarë, nga Haxhi Selami se aty jetoj tashi, ndihmë më erdhi edhe nga Amerika”
Por a do të rindërtojë sërish shtëpinë Medi Ceka në të njëjtin vend? Ai ende se ka marrë një vendim, pasi thotë se nga tmerri që kanë përjetuar fëmijët e djalit nuk pranojnë më të rikthehen aty….
“Nuk vijnë më kalamajt, i kam në Fier te krushku, s’më vijnë më….”