Banorët e disa pallateve në rrugën e Qelqit në Tiranë, të pallateve që janë dëmtuar rëndë nga tërmeti, janë shqetësuar nga vonesa e ekspertëve që duhet të vinin për të vlerësuar dëmin. Njeri prej tyre, me adresat e sakta dhe pamjet e pallateve të dëmtuara, ia ka përcjellë me mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha shqetësimin, me besimin se dikush do të kujtohet t’i thërrasë ndërgjegjes: "Faleminderit nëse bëhesh zëri ynë dukë e publikuar, mbase vihen në lëvizje!"
Dhe ish-kryeministri ka sensibilizuar duke publikuar pamjet me këtë shënim: “Ka kaluar një javë nga dëmtimet e tërmetit, asnjëri nuk ka folur me ta. Lexoni denoncimin e qytetarit të dëmtuar dixhital.”
Përshëndetje z. Sali Berisha.
Unë që po të shkruaj jam banor i Kombinatit, në një prej lagjeve më të dëmtuara të Tiranës, në rrugën e Qelqit.
Ka kaluar më shumë se një javë dhe akoma nuk kanë ardhur ekspertët dhe inxhinierët për të vlerësuar dëmin e pallateve të Pupulitëve dhe disa silikatë.
Mund t’ju dërgoj dhe disa foto të pallateve 116,121,126,62,63,64,69,70,71,73,76
Arsyeja që po ua dërgoj këtë mesazh ne këtë orë të vonë është: Nuk po na lënë ëndrrat e këqia sikur po bie tërmet dhe zgjohemi menjëherë duke dalë nga shtëpia.
Nuk e di a i vret ndërgjegjja këta që janë përgjegjës apo jo!?
Si mund t’i zë gjumi rehat kur mbi supe kanë në përgjegjësi jetët tona?!
Ne si banorë kërkojmë sa më shpejt të vlerësohet dëmi dhe të dimë çfarë të bëjmë. Faleminderit nëse bëhesh zëri ynë duke e publikuar, mbase vihen në lëvizje!