Banorët kanë frikë të kthehen në banesat e tyre, për shkak të dëmtimeve.
Kjo situatë duket se po shfrytëzohet nga hajdutët. Qyteti i Durrësit po i kthehet pak nga pak normalitetit. Banorët që u larguan nga frika e tërmetit, janë kthyer dhe tashmë pak nga pak po mundohen t’i kthehen jetës së përditshme.
Por, problematikat që lidhen me tërmetin vazhdojnë të shqetësojnë banorët e pallateve që kanë pësuar dëme. Në pamundësi për t’u rikthyer të jetojnë në banesat e tyre, ata shprehen të shqetësuar se hajdutët po përpiqen të përfitojnë nga kjo situatë duke hyrë nëpër apartamente që kanë të dëmtuara dyert. Disa prej banorëve shprehen se për këtë fenomen duhen marrë masa nga ana e policisë për të garantuar apartamentet nga keqbërësit. Nga ana tjetër, banorët shprehin rezerva për cilësinë e ndërtimeve dhe akuzojnë se, disa nga ndërtuesit po përpiqen të fshehin gjurmët nga ndonjë hetim i mundshëm nga ana e Prokurorisë.
Gazment Kurti, një prej banorëve të lagjes Nr. 4 të qytetit bregdetar, thotë se cilësia e punimeve në pallatin ku ai jeton lë shumë për të dëshiruar. “Na ka mashtruar me cilësinë e dobët të punimeve. Atij mashtruesi duhet t’i hidhen hekurat dhe të arrestohet. Mos të fshihet, por të vij dhe të përballet me mua dhe dhjetëra familje të tjera që jetojmë në pallatin që ka ndërtuar ai”, shprehet Gazment Kurti, duke shtuar: “Kam shitur shtëpinë e babait tim që ishte pallat i vjetër, me idenë se do të jetoja më i sigurt në këto pallate”.
Aleksandra Zeneli është një tjetër banore e këtij pallati të ndërtuar vitet e fundit, e cila thotë se ndërtuesi po prish provat e një hetimi të mundshëm.
“Ndërtuesi i këtij pallati largoi menjëherë rrënojat dhe nisi nga puna për meremetimin e objektit, me qëllim që t’i shmangej hetimeve. Kam blerë dy shtëpi këtu dhe e denoncoj publikisht se na ka mashtruar. Fëmijët e mi nuk futen më në shtëpi, pasi janë tmerruar kur panë se po hapej dyshemeja në gjysmë. Për këtë përgjegjësi ka vetëm një njeri, ndërtuesi i objektit. Ai nisi të meremetonte pallatin, pa ardhur akoma ekspertët për ta verifikuar. Kjo është një shkelje e hapur, përbën vepër penale. Duam që Prokuroria të vijë dhe të nisi hetimet”, u shpreh Zeneli, banore e lagjes Nr. 4 të qytetit të Durrësit.
Sipas banorëve, në objektin ku ata jetojnë, nuk ka ardhur ende grupi i ekspertëve që verifikojnë kategorinë e dëmeve. Në këto kushte, banorët nuk lejohen të futen në ambientet e brendshme të pallateve, që më herët u është vendosur shiriti i sigurisë. Banorë të një tjetër pallati në Durrës, të cilët kanë braktisur apartamentet e tyre, për shkak të dëmtimeve që ka pasur ndërtesa, akuzojnë ndërtuesin.
Së pari, ata ngrenë pikëpyetje për cilësinë e punësimeve dhe nga ana tjetër, akuzojnë se pronari nuk u ka dorëzuar ende hipotekat. Madje sipas tyre, këto hipoteka ai i ka përdorur si kolateral për marrje kredie, edhe pse paratë e atyre apartamenteve i ka marrë tashmë. Ndërkohë, në një pjesë të mirë të pallateve të shpallura të pabanueshme që janë vendosur në listën e shembjeve, banorët po kërcënojnë jetën e tyre, duke u futur nëpër pallatet e tyre, me qëllim të largojnë mobilet dhe pajisjet elektroshtëpiake.
Dëmtimet e një numri të madh pallatesh në Durrës nxori në pah abuzimet nga ndërtuesit, institucionet e pushtetit lokal dhe qendror, por dhe të bizneseve që përdorin katet e para si njësi tregtare. Në shumë raste, ndërtuesit kanë kryer punime jo cilësore, ndërsa në disa raste të tjera, kanë ndërtuar më shumë kate nga se parashikohej në lejen e ndërtimit.
E gjitha kjo është kryer në shkelje, ndërsa institucionet kontrolluese nuk kanë kryer detyrën. Nga ana tjetër, në pak raste, pronarët e njësive tregtare kanë ndërhyrë në kolonat e pallateve, duke u bërë shkak për shembjen apo dëmtimin e rëndë të ndërtesës. Prokuroria ka premtuar hetime të thelluara, por deri tani nuk ka asnjë masë./ Panorama