Arrestoi Fullanin, çfarë ‘zbuloi’ KPA për ish-prokurorin Ramadan Troci: Cenoi “të drejtën për jetë” të…

Saturday, 28 December 2019 14:04

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ritheksoi në vendimin për ish-prokurorin Ramadan Troci se hetimet e dobëta dhe shpesh të munguara të aksidenteve në minierë dhe ngarkimi me faj i viktimave ishin shkelje e të drejtave të njeriut. Ish-prokurori u penalizua edhe për ekspozimin me arrogancë të pasurive të fituara padrejtësisht.

Troci-ne-KPK-529x400

Kolegji i Posaçëm i Apelimit arriti në përfundimin se përtej arsyeve të tjera, ish-prokurori Ramadan Troci duhej të ishte shkarkuar nga detyra qoftë edhe vetëm për “neglizhencën e dukshme” dhe “gati paracaktimin” e fatit të hetimeve të aksidenteve në miniera, në të cilat faji u është lënë viktimave.

Kolegji la në fuqi vendimin për shkarkim e Trocit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas ankimit të ish-prokurorit. KPA i mëshoi argumentit të KPK-së duke theksuar se ish-prokurori, duke mos ushtruar në mënyrën e duhur ndjekjen penale, ka “cënuar të drejtën e qytetarëve për jetën dhe shëndetin”. Madje sipas Kolegjit, Troci nuk e ka ushtruar krejtësisht detyrën në të shumtën e rasteve.

Trupa gjykuese e Kolegjit, e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Luan Dacin, Natasha Mulajn dhe Sokol Çomon vendosi më 22 tetor të këtij viti të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të marrë në nëntor të vitit 2018.

Siç del nga vendimi i zbardhur, KPA la në fuqi të tre shkeljet për të cilat Troci ishte gjetur i shkarkueshëm, përfshi “deklarimin e pamjaftueshëm të pasurisë”, “mungesën e profesionalizmit” dhe “cënimimin e besimit të publikut te drejtësia”.

Ramadan Troci e nisi karrierën si prokuror në vitin 2001 dhe prej asaj kohe punoi në Bulqizë, Dibër dhe Tiranë. Në vitin 2014, ai u komandua në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe prej vitit 2016 ishte prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Troci u shkarkua filimisht nga KPK, e cila e gjeti atë më pasuri të pajustifikuara, të fshehura dhe shkelje të rënda në profesionalizëm.

Ish-prokurori ankoi vendimin duke pretenduar gjykim të padrejtë në procedurën e ndjekur nga KPK. Ai po ashtu kundërshtoi në ankim të gjitha gjetjet e Komisionit, duke i cilësuar ato të pavërteta. Kolegji që mori në shqyrtimin ankimin, vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK.

Vendimi i arsyetuar i KPA-së tregon se shumica e ankimit të Trocit ishte rrëzuar edhe pse atij i është dhënë të drejtë në pretendimet për disa prej pasurive që sipas KPK-së i kishte fshehur. Kolegji arsyetoi se provat për pasurinë e fshehur në emër të vëllait dhe aksionet në një minierë në emër të baxhanakut dhe një miku nuk ishin të mjaftueshme dhe “as në nivelin e indicieve” edhe pse pranoi se dyshimet qëndronin dhe se Komisioni kishte bërë mirë që i kishte hetuar.

Nga ana tjetër, KPA rrëzoi pretendimet proceduriale dhe ato për gjykim jo të drejtë dhe po ashtu gjeti të provuara qëndrimet e Komisionit mbi tre pasuri të konsideruara të fshehura, përfshi një godinë 32 metra katrorë në proces legalizimi, një makinë që ishte në emër të vëllait të Trocit, por që përdorej prej këtij të fundit dhe një apartamentin 140 metra katrorë në qendër të Tiranës, i marrë me qira.

Kolegji arsyetoi në të tre rastet se përpjekjet e Trocit për të mohuar lidhjet me këto pasuri dhe mosdeklarimi i qartë i tyre, edhe kur ishte pyetur, dëshmonin përpjekjen për t’i fshehur ato. Kolegji vuri në dukje se gjatë seancës dëgjimore në KPK, Troci ishte shprehur se do të hiqte dorë nga kontrata e qirasë për apartamentin që i ishte bërë barrë në vlerësim, ndonëse në të vërtetë e kishte zgjatur kontratën deri në vitin 2021.

KPA po ashtu ribëri analizën financiare të Trocit duke marrë në konsideratë ankimin, por arriti në përfundimin se edhe pse KPK kishte llogaritur jo drejt vlerat e shpenzuara për jetesë, ish-prokurori rezultonte sërish me bilanc negativ edhe pse me vlera më të vogla se ato të gjetura në KPK.

Megjithatë, pjesa më e rëndësishme e vendimit të Kolegjit, në të cilën arsyetohen në tërësi edhe pasuritë e fshehura, është ajo për ankimin mbi “cënimin e besimit te drejtësia”. Kolegji arsyetoi se pretendimet e Trocit në këtë pikë nuk qëndronin. Sipas KPA-së, ish-prokurori kishte cënuar besimin e publikut jo vetëm përmes  “përfitimit në mënyrë të padrejtë të pasurive, por edhe ekspozimit me arrogancë të marrëdhënies me to, siç është jetesa në një banesë apo përdorimi i një automjeti që shkojnë përtej mundësive financiare të ligjshme e të pritshme të tij”.

Ky sipas Kolegjit është një fakt që prek dhe cenon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. “Pjesë e kësaj arrogance që konceptohet se vjen nga pushteti në sytë e publikut, është edhe pasurimi dukshëm i familjarëve të tij, qoftë nëpërmjet shkeljeve të ligjit të pranuara nga subjekti në rastin e vëllait të tij, qoftë nëpërmjet përftimeve të dyshuara si një trafik i mundshëm interesi në rastin e kunatit të tij dhe aktivitetit të tij në fushën e shfrytëzimit të minierave,” thuhet në vendim.

Kolegji e lidhi këtë pikë të arsyetimit me vlerësimin e profesionalizmit dhe kryesisht me hetimet e 7 rasteve të aksidenteve në miniera, me 4 të vrarë dhe tre të plagosur, në të cilat Troci ua kishte lënë fajin viktimave.

Duke i qëndruar gjetjeve të Komisionit, KPA rrëzoi pretendimet e Trocit se vendimet e tij ishin miratuar nga eprorët dhe kontrolluar nga Prokuroria e Përgjithshme.  KPA vuri në dukje se vetëm një nga 7 vendimet në fjalë i ishte nënshtruar kontrollit, ndërsa theksoi se procesi i rivlerësimit ishte i ndryshëm nga verifikimi që bënte Prokuroria e Përgjithshme. Po ashtu, KPA e cilësoi pretendimin e Trocit se ishte kontrolluar nga eprorët si shmangie nga përgjegjësitë e vetë prokurorit.

Në tërësi KPA i gjeti argumentet e Trocit mbi këto çështje të dobëta. Kolegji arsyetoi se hetimet në këto raste nuk ishin kryer ose ishin bërë keq dhe se dukej se fati i tyre ishte i paracaktuar dhe se asnjëherë nuk u kërkua faji në drejtim të kompanive që shfrytëzonin minierat.

“…Sjellja e subjektit në drejtim të trajtimit të çështjeve penale që lidhen me hetimin e veprave penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, të cilat kanë sjellë si pasojë humbjen e jetës së qytetarëve, me një neglizhencë të dukshme e me një qasje gati të paracaktuar drejt përcaktimit të përgjegjësisë te viktimat e aksidentit, do të lexohej nga publiku si një sjelle që nuk ngjallte besim te sistemi i drejtësisë, përderisa në të gjitha këto raste subjekti i rivlerësimit ka vendosur të ndëshkojë të dëmtuarit dhe ka shmangur nga hetimi dhe përgjegjësia një kategori shumë të mundshme për të qenë e tillë, siç janë kompanitë që shfrytëzojnë burimet minerare”, thuhet në vendim.

Problematika që KPA gjen në këtë rast, u identifikua nga ONM edhe në rivlerësimin e prokurorit Hysni Vata, i cili është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndër të tjera edhe për mos-hetimin e aksidenteve në punë. Gjetjet tregojnë për një formalitet të ngjashëm në hetimet të kësaj natyre. BIRN në shkrime të mëparshme ka gjetur se qoftë prokuroria, qoftë  autoritetet përgjegjëse për sigurinë në punë, i mbyllnin në shumicë hetimet duke ua lënë fajin viktimave.

Ndërkohë, vendimet e Kolegjit dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konfirmojnë trajtimin e këtyre çështjeve me neglizhencë dhe mbylljen e tyre në disa raste edhe pa pritur rezultate të ekspertizave apo me ekspertiza formale prej ekspertësh, që sipas KPA nuk njiheshin si të tillë.

Kolegji vë në dukje se të gjitha hetimet e bëra nga Troci në këtë drejtim mbylleshin kryesisht bazuar mbi ekspertiza të personave që nuk ishin formalisht ekspertë. Aty theksohet se ai zgjidhte gjithmonë të njëjtët persona dhe se kjo bënte që konkluzionet të ishin të njëjta. “Arrijnë në konkluzione gjithmonë të njëjta, duke përcaktuar si shkelës të rregullave viktimën, e cila nuk mund të përgjigjet penalisht,” thuhet në vendim.

KPA dhe KPK i kanë gjetur këto hetime jo vetëm të mangëta, por kanë arsyetuar se ato shkelin të drejtat e njeriut.

“Pavarësisht kësaj rrethane, Komisioni me të drejtë ka arsyetuar se mungesa e hetimit dhe moskryerja e veprimeve procedurale të nevojshme ka penguar zbulimin e së vërtetës dhe ka cenuar zbatimin e garancive të Konventës Evropiane për mbrojtjen e Lirive e të Drejtave Themelore të Njeriut, sepse është e pamundur të garantohej parimi thelbësor dhe bazik i kësaj konvente, e drejta për jetën”, thuhet në vendimin e Kolegjit për çështjen Troci.

Në rastin e Trocit, KPA vlerësoi ndër të tjera se përtej gjetjeve në kriterin e pasurisë që ishin vënë në dukje gjatë hetimit, ish-prokurori ishte i shkarkueshëm edhe vetëm për këto çështje.

“Edhe sikur të mos ekzistonin rrethanat që kanë bërë të mundur aplikimin e nenit 61, pikat 3 e 4 të ligjit nr. 84/2016, duke bërë të zbatueshëm në mënyrë autonome paragrafin 5 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, si një prej shkaqeve të shkarkimit nga detyra të subjektit,” thuhet në vendim. BIRN

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...