Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka liruar nga burgu Hasan Kanaçin, punonjësi i kargos që u arrestua për grabitjen e Rinasit.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata, shuma e parave prej 100 mijë eurosh të gjetura në banesën e tij nuk rezultojnë të jenë prerje me numër serie të njëjtë me ato që janë vjedhur nga bankat e nivelit të dytë.
Ngjarja për të cilën Kanaçi u arrestua nga Policia e Shtetit ndodhi më 9 prill 2019, në pistën e avionëve të aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas.
Sipas informacioneve, vendimi për ndryshimin e masës “Arrest me burg” ndaj Hasan Kanaçi është dhënë ditën e djeshme nga gjyqtari Bib Ndreca. I dyshuari si informator për paratë i grupit të drejtuar nga Admir Murataj, organizatori i grabitjes i vrarë nga Policia, u la i lirë pasi nuk ka prova që e implikojnë me grupin e grabitësve.
Edhe nga tabulatet telefonike nuk rezulton që ai të ketë biseduar në ndonjë rast me ndonjë nga grabitësit. Ditën e arrestimit, Policia sekuestroi 100 mijë euro në banesën e Kasnecit, por ai pretendoi se i ka përfituar nga shitja e disa pronave.
Hasan Kanaçi ishte me post shef i kargos dhe dyshimet mbi të ranë pasi kishte ndryshuar radhën e ngarkesave për në barkun e avionit Tiranë-Vjenë. Sipas procedurës, vlerat monetare janë të fundit që vihen, pas bagazheve të pasagjerëve, dhe më tej bëhet në pak minuta edhe mbyllja e derës së avionit.
Më 9 prill, kur edhe ndodhi grabitja spektakolare, pamjet tregonin se në fillim futeshin disa valixhe qytetarësh, më tej futen thasët me para, dera rri hapur gjatë dhe më tej afrohet një ngarkesë sërish me valixhe të pasagjerëve./Panorama/